Ndërlidhjet

Obama mbërrin në Irak


Presidenti amerikan Barack Obama sapo ka filluar një vizitë të paparalajmëruar në Irak. Në Bagdad ai mbërriti pas vizitës dy ditore në Turqi.

Obama shprehu besimin se paqja në Lindjen e Mesme është e mundur, por të dyja palët, palestinezët dhe izraelitët, duhet të bëjnë kompromise.

"Mendoj se e kemi një ide si për çfarë kompromisesh flasim. Ajo që na nevojitet është vullneti politik dhe kurajoja nga ana e udhëheqësve", tha Obama.
Komentet e mësipërme Obama i bëri gjatë një takimi me studentët në Stamboll, në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës së tij në Turqi. Obama shtoi se zgjedhja e tij i rriti besimin amerikanëve se ndryshimet janë të mundshme dhe se kjo është një mundësi e re për të përmirësuar imazhin e SHBA-ve në botë.

"Mendoj se njerëzit u nxitën të zgjidhnin dikë si unë, që ka jetuar një pjesë të kohës përtej oqeanit, që ka myslimanë në familjen e tij, pasi besojnë se mund të ndërtoj ura me pjesët e tjera të botës", tha Obama.

Gjatë ditës Obama u takua dhe me drejtues fetarë myslimanë, hebrejë dhe të disa kishave të krishtera që veprojnë në Stamboll. Obama ka deklaruar gjatë vizitës në Turqi se SHBA-të nuk janë në luftë me islamin.

Presidenti amerikan u takua dhe me shefat e diplomacive të Turqisë e Armenisë në përpjekje për të nxitur dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet.
XS
SM
MD
LG