Ndërlidhjet

Shëndetësia kosovare me shumë sfida


Në Ditën Botërore të Shëndetit, mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ankohen për mungesë të barnave esenciale, përderisa zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se sistemi shëndetësor po shkon kah përmirësimet.

Sistemi i përgjithshëm shëndetësor në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të ndryshme, madje edhe me mungesë të barnave elementare, thonë mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Ditën Botërore të Shëndetit.

Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, vlerëson se në krahasim me vitet e kaluara, sistemi shëndetësor kosovar është më i mirë dhe, sipas tij, po shkon kah përmirësimet e mëtejme.

“Krahasuar me vitet e mëparshme, kjo ditë e gjen Kosovën më të konsoliduar, e gjen me fillim të përmirësimit të tërësishëm në sistemin e shëndetësisë, me fillimin e reformave të thella në të gjithë sektorët”, u shpreh ministri Gashi.

Sistemi shëndetësor në Kosovë shumë herë është kritikuar nga organizata të ndryshme që merren me shëndetësinë, sidomos për shërbim jocilësor ndaj pacientëve.

Edhe pse zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë thonë se së fundi janë vërejtur disa ndryshime pozitive, Skënder Syla, nga kjo organizatë, pohon se sistemi shëndetësor ka ende nevojë për përmirësime.

“Kuptohet se ka përmirësime, mirëpo ende ka sfida, me të cilat ne përballemi. Në këtë kuadër, Organizata Botërore e Shëndetësisë, përmes donacioneve si të Qeverisë së Luksemburgut dhe qeverive të tjera, do të vazhdojë të ofrojë përkrahje teknike, në mënyrë që sistemi shëndetësor i Kosovës të jetë sa më i përgatitur”, tha Syla.

Në Ditën Botërore të Shëndetit, mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ankohen për mungesë të barnave elementare. Doktoresha Sueda Latifi-Hoxha, shefe e sallës së lindjes në spitalin e gjinekologjisë, thotë se gjendja nëpër spitale nuk ka qenë kurrë më keq sesa tani.

“Kurrë më keq nuk ka qenë gjendja në klinikë. Shtrohet pyetja pse? Përveç mungesës së sallave të lindjes, që pritet 8 muaj për të iniciuar dikush rinovimin dhe aktualisht nuk janë të rinovuara, është e keqja tjetër që mungojnë medikamentet esenciale, edhe pse elaborohet vazhdimisht në qarqet zyrtare se është pasuruar lista e barnave esenciale”, thotë Hoxha.

Ndërsa, ministri Alush Gashi pohon se reformimi i sistemit shëndetësor në vend kërkon kohë.

“Reforma e sistemit shëndetësor kudo në botë kërkon përkushtim nacional, kërkon buxhet dhe kërkon kohë. Unë jam optimist se gjendja do të përmirësohet. Kemi përkushtimin e profesionistëve, ka një dinamikë të admiruar në Kuvend dhe Qeveri dhe në media”, theksoi ministri Gashi.

Në anën tjetër, edhe zoti Syla, nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetit në Prishtinë, konsideron se përballë sistemit shëndetësor të Kosovës janë disa sfida, të cilat, sipas tij, kryesisht lidhen me buxhetin, por edhe disa çështje të tjera.

“Buxheti i ultë që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, problemet e trashëguara në të kaluarën, mirëpo edhe problemet me të cilat po ballafaqohet bota, bie fjala kriza financiare, e cila padyshim që do ta godasë edhe Kosovën - të gjithë këta janë faktorë që vështirësojnë punën e sistemit shëndetësor në Kosovë”, tha Syla.

Sido që të jetë, në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetësisë, ekspertët shëndetësorë në Prishtinë kanë kërkuar përmirësim të kushteve për mjekët, si dhe projekte për ndërtimin e spitaleve të sigurta.
XS
SM
MD
LG