Ndërlidhjet

Pritjet për integrim të shpejtë në BE - joreale


Ekspertët për integrime në Bashkimin Evropian dhe njohës për çështje politike në Kosovë thonë se pritjet e Kosovës që shumë shpejt të jetë pjesë e BE-së, janë joreale. Sidoqoftë, ata përjashtojnë mundësinë që dyert drejt BE-së të jenë të mbyllura për Ballkanin Perëndimor.


Pritjet e Kosovës për t’u anëtarësuar “shumë shpejt” në Bashkimin Evropian duket se nuk janë reale, nëse merren parasysh analizat e ekspertëve për integrime evropiane, si dhe ato të njohëseve të zhvillimeve politike në Prishtinë.

Ekspertja për integrime evropiane, Venera Hajrullahu, thekson se Kosova akoma është larg në aspektin e përmbushjes së kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo sqaron dhe një gamë problemesh të tjera, me të cilat do të sfidohet vizioni i Kosovës për integrimin në BE.

“Janë përmendur, së fundi, problemet shtesë që Kosova i ka në këtë proces, e që rrjedhin nga mosnjohja e pesë shteteve anëtare të BE-së; pra, që e detyrojnë Kosovën që procesin e integrimit ta vazhdojë në forma alternative, pa marrëdhënie obligative kontraktuese me BE-në si shtet, e të mos përmendim tensionin e përhershëm në lidhje me atë se me çfarë tempi po ec Serbia dhe në çfarë forme, apo jo, do t’i ofrohet statusi i kandidatit”, thotë Hajrullahu.

Analisti politik, Ismail Hasani, ndërkohë, thotë se Kosova në përgjithësi shikohet si një vend tërheqës për integrim në Bashkimin Evropian, porse Kosova gjithashtu cilësohet si një vend që sapo ka dalë nga lufta, me struktura jo të organizuara mirë dhe me probleme në ndërtimin e jetës institucionale.

“Atje ku ka struktura fragjile, ku ka jetë të brishtë institucionale, ku ka probleme dhe të tjera, mundësia e integrimeve euro-atlantike e këtyre vendeve është më e komplikuar, kërkon kohë më të gjatë, kërkon mund...”, vlerëson Hasani.

Hasani thotë se aktualisht në lidhje me integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës si pjesë të tij, në Bashkimin Evropian ekzistojnë dy lloj rrymash: e para, orientimi i papërcaktuar në shkollën evropiane të integrimeve euro-atlantike, sipas së cilës Ballkani do të duhej të integrohej në BE në një të ardhme shumë të afërt, si dhe shkolla amerikane, sipas së cilës nuk përjashtohet mundësia e integrimit në Bashkimin Evropian, porse kjo gjë, siç sqaron ai, nuk do të ndodhë vetëm në kuadër të një procesi të natyrshëm të zhvillimeve demokratike.

“Sa do të jetë e gatshme Kosova të ofrojë cilësi për këto integrime, është çështje tjetër, dhe situata komplikohet atëherë kur Kosova nuk mund ta shikojë vetën të gatshme për ndërtimin e strukturave që do të jenë adapte për integrimin në strukturat euro-atlantike”, shprehet Hasani.

Hajrullahu, ndërkaq, mendon se vështirësitë aktuale brenda Bashkimit Evropian në lidhje me mosaprovimin e Traktatit të Lisbonës, krizën financiare globale dhe një lodhje të mundshme nga zgjerimi, do të kenë efektet e veta në drejtim të anëtarësimit të vendeve të rajonit në këtë mekanizëm.

Por, siç thekson ajo, analiza e fundit e Komisionit Evropian, sipas së cilës zgjerimi mbetet proces me efekte pozitive, përjashton mundësinë e mbylljes së dyerve për vendet potenciale për anëtarësim në BE.

“Politika e BE-së ndaj rajonit do të mbetet e pandryshuar dhe zotimet e Samitit të Selanikut, të konfirmuara disa herë nga Këshilli Evropian, do të mbahen. Mendoj se është një fazë, e cila ka zgjuar, padyshim, mendim më të thellë të disa vendeve anëtare lidhur me shpejtësinë e zgjerimit dhe efektet e mundshme në vetë funksionimin e BE-së”, thekson Hajrullahu.

Ndryshe, udhëheqës të institucioneve kosovare shprehin bindjen se Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, duke u zotuar se përmbushja e kushteve për këtë proces do të vazhdojë të jetë prioritet i mekanizmave kosovarë.
XS
SM
MD
LG