Ndërlidhjet

Kosova vend i (pa) sigurt për investime


Autoritetet kosovare, në një takim ndërmjet afaristëve kosovarë dhe atyre grekë në Prishtinë, kanë ftuar investitorët e huaj që të vijnë të investojnë në Kosovë, pasi që tani Kosova ofron kushte të mira për investimet e jashtme.

Duke e konsideruar si një vend atraktiv dhe të sigurt për investime, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pohoi se pavarësia e Kosovës ka hapur rrugën e sigurt për zhvillimin dhe integrimin politik e ekonomik të Kosovës.

“Vizioni ynë për zhvillimin ekonomik të Kosovës paraqet bazën për një Kosovë, shtet i qytetarëve të saj, i zhvilluar në përputhshmëri me parimet demokratike, me një ekonomi të qëndrueshme, shoqëri shumetnike, me përkushtim të plotë kundrejt integrimit euro-atlantik dhe natyrisht atij rajonal, përmes zbatimit të kritereve dhe me standardet më të larta të përgjegjësisë dhe transparencës”, tha kryeministri Thaçi.

Qeveria, sipas tij, ka bërë progres të dukshëm në krijimin e një ambienti të favorshëm për biznes, ambient të përshtatshëm për investime, gjenerimin e vendeve të reja të punës, bashkëpunim rajonal, si dhe rritjen e efikasitetit institucional në përgjithësi.

Ndërkaq, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, thekson se janë shumë të interesuar që të tërheqin investime direkte të huaja. Sipas tij, vendi ofron shumë përparësi, përfshirë këtu edhe regjistrimin më të shpejtë të bizneseve nga të gjitha vendet e rajonit.

“Qeveria e Kosovës ka bërë hapa krucialë drejt tërheqjes së investimeve të huaja në Kosovë, duke kontinuar në mënyrë signifikante në sigurimin e trendëve pozitivë në fushat si siguria, çështjet politike, legjislacioni etj.”, thotë ministri Zharku, duke shtuar se çështjet politike nuk duhet ndikuar në ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e Kosovës, Ahmet Shala, fton investitorët e jashtëm që të marrin pjesë në privatizimin e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ministri Shala thotë se roli i Qeverisë së Kosovës në bashkëpunimin e dyanshëm është që të hapë perspektiva, t’i tejkalojë barrierat burokratike dhe fizike dhe të hapë mundësi për afaristët.

“Shumë ndërmarrje publike kanë nevojë për investime dhe shumë gjëra të tjera në sferën e shëndetësisë, arsimit, të infrastrukturës etj., kanë nevojë për ide dhe para”, tha zoti Shala.

Gjatë këtyre viteve, sipas tij, përkundër krizës ekonomike globale, Kosova ka bërë progres të dukshëm për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, që reflektohet në një rritje të qëndrueshme ekonomike prej 5.5 për qind, ruajtje e nivelit të inflacionit dhe rritje e të ardhurave vjetore për kokë të banorit.

Megjithatë, Safet Gërxhaliu, ekspert për çështje ekonomike, kritikon Qeverinë e Kosovës për mënyrën e promovimit të vendit. Sipas tij, kjo mënyrë nuk do të mund të sjellë investime të pritshme dhe të mëdha.

“Në aspektin ekonomik, është koha që të bëjmë më shumë, që të jemi atraktivë për të huajt dhe jo vetëm t’i ftojmë këtu bizneset dhe të zhgënjehen, por vërtet t’u ofrojmë vizon të qartë dhe të përbashkët se ku janë fushat, çka duhet të bëjmë, si mund të eliminohen barrierat që kishin mundur të pengojnë një bashkëpunim të tillë ekonomik”, vlerëson Gërxhaliu.
XS
SM
MD
LG