Ndërlidhjet

Çështja e policëve të suspenduar - ende pezull


Policët e suspenduar serbë
Policët e suspenduar serbë
Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe EULEX-i ende nuk japin ndonjë rekomandim rreth çështjes së policëve të suspenduar serbë, të cilët po vazhdojnë t’i bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Fisnik Rexhepi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pohon se ende nuk ka një vendim se çka do të bëhet me policët e suspenduar, derisa Komisioni punues po vazhdon konsultimet.

“Përfaqësues nga të gjithë mekanizmat relevantë që janë duke adresuar këtë çështje, nga Ministria e Brendshme, nga Policia dhe nga EULEX-i, kanë vazhduar vlerësimin e situatës dhe kanë vazhduar komunikimin me policët, të cilët janë suspenduar me pagesë nga puna në Policinë e Kosovës. Ende nuk ka ardhur momenti kur do të marrim një vendim. Anëtarët e grupit punues do të takohen dhe një herë gjatë javës, mirëpo nuk kemi ndonjë zhvillim të ri në drejtim të kthimit të tyre apo vendimi tjetër”,
tha Rexhepi.

Sipas zotit Rexhepi, kontaktet me policët e suspenduar janë duke vazhduar. Ai thotë se herë pas here ka indikacione që ata mund të kthehen në vendet e tyre të punës, por, shton ai, Beogradi po ndikon në veprimet e tyre.

“Ata janë në njëfarë forme urdhëruar nga qarqet politike të Beogradit për të abstenuar punën në Policinë e Kosovës. Ata na kanë njoftuar se kthehen në strukturë me kusht që ka ndarje të zinxhirit komandues, pastaj që t’i raportojnë vetëm EULEX-it, apo në kohën e mëparshme vetëm UNMIK-ut. Mirëpo, asnjë prej këtyre propozimeve, ideve, nuk është në tavolinë”, theksoi Rexhepi.

Nga ana tjetër, anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, thonë se Qeveria e Kosovës duhet sa më parë të marrë një vendim rreth kësaj çështjeje.

Ibrahim Selmanaj, nga Komisioni Parlamentar për Siguri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikon institucionet që deri më tash nuk kanë marrë një vendim për këtë çështje.

“Nuk ekziston një gatishmëri nga vetë institucionet e Kosovës, mekanizmi i sigurisë, por edhe nga vetë Kuvendi i Kosovës, sepse në komisionin, të cilit unë i përkas tash e sa kohë, nuk është diskutuar për këtë çështje dhe nuk është në rend dite as në plan që të bisedohet. Duhet të merret një vendim i qartë dhe duhet të dihet se në Kosovë ka një Kushtetutë, se në Kosovë është një shtet që duhet t’u garantojë qytetarëve siguri dhe t’u japë një pasqyrë të qartë se duhet respektuar ligjet që janë të aplikueshme në Kosovë”,
u shpreh Selmanaj.

Më shumë se treqind policë serbë, pas shpalljes së pavarësisë, refuzuan që të punojnë nën urdhrat e Drejtorisë së Policisë së Kosovës, duke thënë se legjitimë për ta janë vetëm urdhrat e Policisë së UNMIK-ut.

Ndërkaq, zoti Selmanaj thotë se në Kosovë ka shumë njerëz të interesuar, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e Policisë së Kosovës.

“Ata që nuk duan t’i respektojnë ligjet që janë në Kosovë, kushdo qofshin, duhet të jenë larg proceseve, sepse ka shumë të interesuar për t’iu bashkëngjitur mekanizmit të sigurisë në Kosovë – qoftë serbë, malazez, qoftë minoritete tjera, qoftë edhe shqiptarë”, tha Selmanaj.

Në veriun e Mitrovicës është një numër i policëve serbë, të cilët edhe më tej shërbejnë në kuadër të Policisë së Kosovës. Atje, sipas autoriteteve të rendit, policët i raportojnë zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës dhe komponentit policor të EULEX-it.
XS
SM
MD
LG