Ndërlidhjet

Në Kosovë është shënuar Dita Ndërkombëtare e Romëve. Qeveria ka premtuar ndihmë për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas. Në mesin e romëve ka të tillë që janë të kënaqur me të drejtat që u ofrohen në Kosovë, por ka dhe nga ata që duan përmirësime të mëtejme.


Të diskriminuar gjithandej në botë dhe në luftë të përhershme për të fituar të drejta të barabarta, romët festojnë sot Ditën Ndërkombëtare të tyre. Në Kosovë duket se janë gjetur mirë. Të paktën kështu thotë deputeti nga radhët e romëve në Kuvendin e Kosovës, Zylfi Merxha.

”Komuniteti rom po ndjehet mirë që po e festojmë në Kosovën e lirë dhe tërë Kosova po e feston Ditën e Romëve; të gjitha organet e kanë marrë në dorë, gjithandej po festohet. Uroj Ditën e Romëve. Jemi me të drejta të barabarta me të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë”, pohon Merxha.

Ka qenë vetë kryeministri Hashim Thaçi ai që në një konferencë për nder të Ditës Ndërkombëtare të Romëve ka premtuar ndihmën e institucioneve për integrimin e këtij komuniteti.

“Trashëgimia e komunitetit rom në Kosovë është një nga vlerat kulturore, që respektohet, ruhet, promovohet e kultivohet si trashëgimi e përbashëkt e njerëzve të vendit tonë. Promovimi i kulturës kontribuon në pajtim dhe tolerancë dhe krijon bazë për një proces të vërtetë demokratik, që bazohet në parimet ku individët njohin e respektojnë autoritetet e institucioneve”.

“Sot edhe romët marrin pjesë në jetën e re demokratike, janë të përfshirë në institucionet më të larta shtetërore”, tha Thaçi, zyra e të cilit ka sponsorizuar këtë vit një program katërditor për këtë festë.

Në Kosovë vlerësohet se jetojnë rreth 35-40 mijë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, nga mbi 100 mijë sa vlerësohet të kenë qenë para luftës. Shumë nga ta kanë ikur në shtetet perëndimore pas vitit 1999, ndërsa një numër i tyre gjendet i zhvendosur nëpër kampe në shtetet fqinje.

Daut Qylanxhiu është gazetar, por edhe koordinator i Organizatës Joqeveritare “Qendra për Integrime Evropiane”. Ai mendon se pozita e romëve në Kosovë duhet përmirësuar.

“Pozita nuk është e lakmueshme dhe nuk mund të mburremi me pozitën e tyre si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. Së pari, një numër i madh i tyre gjendet jashtë, por edhe në rajon, në vendet e ish-Jugosllavisë, gjenden nëpër kampe, jetojnë në kushte shumë mizore. Në përgjithësi, situata e tyre është shumë e rëndë”,
pohon Qylanxhiu.

Ditë më parë, komisionari i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Tomas Hammarberg, ka alarmuar për pozitën e rëndë të romëve në Kosovë. Në fokus të kritikave të tij ka qenë gjendja e dy kampeve rome në veri të Mitrovicës, për të cilat ka thënë se përbëjnë katastrofë humanitare.

Por, Zylfi Merxha mendon ndryshe. Ai thotë se edhe shtetet perëndimore me demokraci të vjetër, duhet të marrin mësim nga Kosova se si duhet trajtuar pakicat.

“Le të vijnë, le të marrin model nga Kosova se si jetojnë dhe si i kanë të drejtat romët këtu”, tha Merxha.

Në anën tjetër, organizata të shumta për të drejtat e njeriut kanë alarmuar se niveli i arsimimit në mesin e komunitetit RAE është shumë i ultë. Qeveria, për këtë arsye, ka miratuar një strategji për integrimin e këtij komuniteti. Daut Qylanxhiu, një pjesë të fajit ua hedh vetë bashkëkombasve të tij.

“Do t’i ftoja romët që të angazhohen më tepër. Duhet t’i kërkojnë të drejtat dhe të jenë shumë më aktivë”, u shpreh Qylanxhiu.

Ndryshe, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer, ka përgëzuar autoritetet e Kosovës për miratimin e Strategjisë për Integrimin e Komunitetit RAE. Ai ka nënvizuar se nëse kjo strategji zbatohet në vitet e ardhshme, do të përmirësohet ndjeshëm pozita e këtij komuniteti.
XS
SM
MD
LG