Ndërlidhjet

Argumentet në GJND - të shumta


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Në Prishtinë kanë vazhduar debatet rreth procesit të argumentimit të Kosovës dhe Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në lidhje me legalitetin e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kështu, një numër analistësh e ekspertësh vendorë e ndërkombëtarë u pajtuan se mendimi këshillëdhënës i mekanizmit në fjalë për pavarësinë e Kosovës, nuk mund ta zhbëjë atë.


Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, qoftë pozitiv apo negativ, në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk mund të zhbëjë pavarësinë e Kosovës.

Kështu u tha, ndër të tjera, në një debat që trajtonte temën e procesit të mbrojtjes së ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme.

Sidoqoftë, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit, Marc Weller, tha se kërkesa e Serbisë drejtuar GJND-së në lidhje me legalitetin e pavarësisë së Kosovës, ka vonuar për një kohë të caktuar edhe procesin e njohjes së shtetësisë së Kosovës.

“Edhe nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstaton se Kosova nuk është ende shtet, kjo nuk do të thotë se shtetësia e Kosovës do të zhduket menjëherë. Megjithatë, pozita diplomatike e Kosovës ndërkombëtarisht do të jetë e prekur në mënyrë domethënëse dhe jeta e saj do të bëhet edhe më e vështirë, sesa që është aktualisht“.

"Ky edhe ka qenë qëllimi pse gjykatës i është kërkuar një mendim këshillëdhënës, pasi një numër i konsiderueshëm i shteteve kanë thënë se ne nuk mund të përcaktohemi a do ta njohim Kosovën si shtet, derisa të dëgjojmë mendimin e gjykatës. Kështu që fushata për njohjen e Kosovës nga një numër i konsiderueshëm është vonuar për gati një vit e gjysmë si pasojë e kësaj dhe kjo në një mënyrë ka qenë një hap i suksesshëm i Qeverisë në Beograd”, tha Weller.

Qeveria në Prishtinë
Ai numëroi një varg argumentesh, të cilat Kosova mund t’i përdorë për të dëshmuar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së pavarësia e saj ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe po ashtu shprehu bindjen se Kosova tanimë posedon katër elementet e nevojshme për të qenë shtet, pra territorin, popullsinë e përhershme, qeverinë dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare.

Duke folur, ndërkaq, për argumentet e mundshme të Qeverisë së Serbisë në këtë drejtim, Weller tha:

“Nuk ka një rregull ndërkombëtar që e pengon Kosovën si Kosovë të bëhet shtet i pavarur. Mund të supozohet se Beogradi do të bazohet në Rezolutën 1244. Kjo rezolutë përmbante referenca për integritetin territorial të ish-Jugosllavisë. Diskutohet, në anën tjetër, se kjo referencë ishte e lidhur me periudhën e administrimit ndërkombëtar”.


“Megjithatë, është vetë Rezoluta 1244, e cila parasheh procesin për një status final. Cili do të ishte qëllimi i një statusi final nëse vazhdon me çfarëdo çmimi përkushtimi në integritetin territorial? Disa shtete në mënyrë të saktë, sipas mendimit tim, kanë argumentuar se Rezoluta 1244 është një referencë e kufizuar e atij integriteti territorial”, theksoi Weller.

17 prilli është caktuar si datë e fundit, kur palët duhet të dorëzojnë argumentet e tyre në formë deklarate në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në kuadër të këtyre argumenteve, sipas publicistit, Arbër Xhaferi, nuk duhet lënë anash aspekti historik.

Qeveria në Beograd
“Kemi argumente të fuqishme ta rrëzojmë edhe këtë test. Në përgjithësi, te serbët ekziston një tendencë e ngurtësimit të fenomeneve, një mentalitet ky i cili gjithmonë ka ekzistuar. Kombi serb ka ekzistuar gjithmonë në këtë dimension, pra një popull që i ka vetitë e veta, siç thonë ata. Mirëpo, realiteti është kundër kësaj qasjeje për fenomenet historike”,
u shpreh Xhaferi.

Kështu pohoi dhe akademiku Esat Stavileci, i cili theksoi se duhet të bëhet një ndarje në mes të së drejtës së ligjshme për t’u shpallur i pavarur dhe krijimit të hapësirës për të funksionuar si shtet i tillë - gjë që, sipas tij, akoma paraqet një problem për vendin.

Mirëpo, ai konsideroi se një element shumë i fuqishëm, i cili mbështet legalitetin e deklarimit të Kosovës si shtet i pavarur, është e drejta për vetëvendosje. Në lidhje me këtë, Stavileci sqaroi:

“E theksoj si argumentin më të fuqishëm juridik qenien e Kosovës si element konstituiv në ish-Jugosllavi dhe zhbërjen e saj. Do të përmendja, në lidhje me këtë, një fakt shumë të rëndësishëm - njohjen e pavarësisë nga ish-Republikat e Jugosllavisë, të cilat më së miri kanë njohur realitetet e Federatës së ish-Jugosllavisë, duke qenë pjesë përbërëse e saj”, shtoi akademik Stavileci.

Procesi i interpretimit legal të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte iniciuar nga Serbia dhe mbështetur nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Deri kah mesi i muajit prillit, të gjitha palët e interesuara do të mund t’i deponojnë deklaratat e tyre me shkrim, e më pas do të pasojë edhe procesi gjyqësor, i cili në fund do të përmbyllet me një mendim këshillëdhënës që gjykata do ta japë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG