Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ndërkombëtarët - kompromis për emrin


Pamje në Shkup

Pamje në Shkup

Maqedonia duhet sa më shpejt të zgjidhë kontestin rreth emrit me Greqinë, pasi ky është kushti i vetëm për anëtarësimin e saj në Aleancën Veri-atlantike, kanë vlerësuar përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend.


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filip Riker, tha se inkurajon presidentin e posazgjedhur, Gjorge Ivanov, që menjëherë pas përfundimit të procedurave të inuagurimit të tij, të fillojë punën për rifillimin e bisedimeve për mbylljen e kësaj çështjeje.

“Edhe në komunikatën e NATO-s u tha se Maqedonia do të marrë ftesë menjëherë pasi të zgjidhë çështjen e emrit. Pas përfundimit të zgjedhjeve, ne inkurajojmë presidentin e ri t’u përkushtohet bisedimeve dhe në tryezë të gjejë një zgjidhje për emrin. Ne presim me padurim kur Maqedonisë do t’i urojmë mirëseardhje në NATO, sikur edhe shteteve të tjera, të cilat i plotësojnë standardet për të qenë pjesë e NATO-s”, deklaroi ambasadori amerikan, Filip Riker.

Ambasadorja e Holandës, Simone Filipi, tha se kompromiset janë të dhimbshme, por “atë duhet ta gjeni, nëse dëshironi anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike”. Ambasadorja Filipi tha se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit të saj në NATO dhe BE, andaj edhe duhet kompromisi.
Është shumë më mirë të gjeni kompromis, sesa të jeni jashtë këtyre aleancave, pasi brenda tyre do të keni më tepër përfitime.

“Normalisht, është e dhimbshme të arrihen kompromise, sepse çdo kompromis është i dhimbshëm, por dua të them se në qoftë se dëshironi të jeni pjesë e BE-së, duhet të jeni të përgatitur për kompromise, sepse Bashkimi Evropian është një makineri e kompromiseve. Në fund të fundit, është shumë më mirë të gjeni kompromis, sesa të jeni jashtë këtyre aleancave, pasi brenda tyre do të keni më tepër përfitime”, tha ambasadorja Simone Filipi.

Kreu shtetëror, e në veçanti Qeveria, nuk do të mund të arsyetohen më për pengesa nga opozita apo presidenti që ishte nga radhët e LSDM-së, pasi i tërë pushteti është në duart e VMRO-DPMNE-së dhe ajo patjetër duhet të punojë në zgjidhjen e çështjes së emrit, thotë Mahi Nesimi, ish-diplomat.

“Qeveria e Maqedonisë nuk do të mund të hiqet në atë se dikush nga brenda e pengon procesin e integrimeve evropiane apo zgjidhjen e kontestit të emrit. Të gjitha mesazhet që dërgohen në adresë të Qeverisë, janë të mirëseardhura, pasi do të ndikojnë pozitivisht në zgjidhjen e kompromisit”, deklaroi Nesimi.

Sipas tij, iniciativa duhet të ndërmerret nga Maqedonia, pasi këtë nuk do ta bëjë Greqia, për shkak të pozicionit të saj të favorshëm në kontestin rreth emrit.
XS
SM
MD
LG