Ndërlidhjet

"Skenar" i përsëritur në Mitrovicë


Pamje në Mitrovicë
Pamje në Mitrovicë

Edhe sot serbët kanë protestuar, duke penguar fillimin e rindërtmit të shtëpive të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Kreu i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, thotë se këto reagime kanë synim spastrimin etnik të veriut nga shqiptarët.


Në Mitrovicë përsëritet skenari i vitit të kaluar. Shqiptarët duan të rindërtojnë shtëpitë në veri, serbët nuk lejojnë. Kësaj radhe, mollë sherri janë bërë disa shtëpi të shqiptarëve te Kroi i Vitakut. Dhjetëra serbë janë mbledhur për një orë afër lagjes Kori i Vitakut, për të penguar kështu rindërtimin.

“Ne kemi mbështetjen e liderëve lokalë, kështu që do të vazhdojmë me tubime të qeta, deri në zgjidhjen përfundimtare, derisa nuk pajtohet edhe pala serbe rreth rindërtimit të shtëpive shqiptare”, thotë përfaqësuesi i serbëve nga ky vend, Sinisha Laziq.

Kreu i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i quan të pakuptimta këto reagime. Ai mendon se në të vërtetë struktura të caktuara paralele serbe synojnë spastrimin etnik të kësaj pjese të qytetit.
Ata kanë pasur plane të ndryshme që me pengimin e rindërtimit, t’i detyrojnë shqiptarët që t’i shesin shtëpitë dhe të bëjnë spastrimin etnik. Kjo strategji nuk do t’u funksionojë.

“Reagimi i banorëve serbë është i pakuptimtë, sepse ata nuk mund të vendosin për të drejtën për t’u kthyer në pronat e veta, aq më parë kur janë në distancë 1 km. Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në Suhodoll dhe te Kroi i Vitakut nuk e rrezikon komunitetin serb. Por, ata kanë pasur plane të ndryshme që me pengimin e rindërtimit, t’i detyrojnë shqiptarët që t’i shesin shtëpitë dhe të bëjnë spastrimin etnik. Kjo strategji nuk do t’u funksionojë”, i tha Rexhepi Radios Evropa e Lirë.

Vitin e kaluar, pikërisht në lagjen Kroi i Vitakut, për shkak të kundërshtimit serb, qe bërë problematik rindërtimi i shtëpisë së një pronari shqiptar, Ali Kadriut. Ai qe ndaluar nga njësitë e policisë së UNMIK-ut. Po vitin e kaluar, probleme të natyrës së njëjtë ka pasur edhe me ndërtimin e ujësjellësit në Suhodoll. Bajram Rexhepi pohon se po përsëritet skenari i njëjtë.

“Skenari i njëjtë, por vendosmëri më e madhe e banorëve, e strukturave komunale. Krejt dokumentacioni sa i përket bazës legale, është në rregull; janë të informuar faktorët ndërkombëtarë; Agjencisë Kosovare të Pronës i janë dhënë të gjitha dëshmitë se kanë të drejtë të kthehen në pronat e tyre; do ketë edhe deklarim të UNMIK-ut që nuk ka kurrfarë pengese ligjore për t’u kthyer”, tha Rexhepi.

Ndërkohë, komandanti i stacionit të policisë në veri, Milija Millosheviq, ka thënë se punimet janë shtyrë për disa ditë, ndërkohë që autoritetet e rendit kanë shtuar praninë në këtë pjesë.

“Ne jemi përforcuar, ka patrulla policore, veçanërisht në këtë zonë, ku janë të mundura incidentet. Kështu do të vazhdojmë edhe në periudhën e ardhshme dhe do t’i sigurojmë të gjitha komunitetet. Nuk do të lejojmë që të ndodhë ndonjë incident”, tha Millosheviq.

Nenad Topliçeviq, që është në krye të pushtetit paralel lokal në Mitrovicë, thotë se ndërkombëtarëve u është sqaruar pozicioni i palës serbe, e cila, sipas tij, dëshiron zgjidhje paqësore të këtij problemi.

“Jemi të vendosur që kjo çështje të zgjidhet paqësisht, sepse nuk ia vlen të sakrifikohet jetë njeriu. Ne këmbëngulim që të kthehen serbët në jug të Mitrovicës dhe duam që përfundimisht ky proces i kthimit të serbëve në jug, të nisë”,
tha Topliçeviq.

Por, kreu i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, nënvizon se askush nuk ua ndalon serbëve kthimin në jug.

“Kjo nuk paraqet problem, se ne gjithnjë kemi qenë të hapur, jo që të lejojmë kthimin e tyre, por edhe nëse duan ndihmë financiare, ne jemi të gatshëm në kuadër të mundësive, t’u ndihmojmë. Kurrë s’kemi bërë pengesë, që ata të kthehen në pronat e tyre”, tha Rexhepi.

Në muajt e fundit janë shënuar incidente sporadike në lagjet e përziera etnikisht në Mitrovicë. Por, në përgjithësi, situata e sigurisë vlerësohet të jetë e qetë, edhe pse e tensionuar. Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, shpjegon:

“Situata në përgjithësi është e qetë dhe kështu vlerësohet javët e fundit edhe nga komisionet për siguri, ku marrin pjesë të gjitha strukturat, përfshirë edhe policinë. Kjo situatë vazhdon të jetë e qetë pa incidente madhore, që do të tërhiqnin vëmendjen e opinionit”, u shpreh Hoti.

Mitrovicën, tash dhjetë vjet, lumi Ibër vazhdon ta ndajë në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun me serbë. Veriu shquhet edhe për përqendrimin më të madh të strukturave paralele serbe.

Ndërkohë, plani i Ahtisaarit, me të cilin parashihet një qytet me dy komuna, nuk është jetësuar ende, për shkak të mosinteresimit të palës serbe.
XS
SM
MD
LG