Ndërlidhjet

Analistët: Vit i Kushtetutës apo shkeljeve


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Analistët në Prishtinë ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me zbatimin e Kushtetutës. Në njëvjetorin e miratimit të saj, disa analistë vlerësojnë se Kosova ka arritur të zbatojë kënaqshëm Kushtetutën e miratuar, ndërkaq të tjerë konsiderojnë se ishin institucionet ato që në masë të madhe shkelën kushtetutshmërinë dhe nuk e zbatuan atë.

Sidoqoftë, analisti Ramush Tahiri thotë se e sheh pozitivisht funksionimin e Kushtetutës dhe bërjen e Kosovës shtet mbi bazën e saj. Mirëpo, Kushtetuta e Kosovës nuk është një akt më i lartë i një vendi sovran, pasi që Plani i Ahtisaarit është mbi të, thotë Tahiri. Me gjithë sfidat, Tahiri konsideron se Kushtetuta nuk ka mundur t’i zgjidhë problemet në veri, pasi që ato kanë qenë të trashëguara nga më herët.

“Është fakt që nuk zbatohet në gjithë vendin, mirëpo i ka ingerencat në gjithë vendin. Po ashtu, edhe pranimet ndërkombëtare që janë bërë, asnjë prej tyre nuk është kushtëzuar me asgjë, por e pranojnë Kosovën shtet sovran e të pavarur, me integritetin e saj territorial dhe me sovranitetin e plotë. Ne kemi probleme si Kosovë në tri komunat në veri, mirëpo këto probleme janë të trashëguara, i kishim edhe më herët”, thotë Tahiri.

Ndërkohë, analisti i çështjeve juridike, Kujtim Kërveshi, thotë se viti i parë i Kushtetutës do të mbahet mend për një shkelje të saj dhe jozbatueshmëri.
“Do ta mbajmë mend për shkeljen e parimeve të kontrollit të ndërsjellë të institucioneve, kur institucionet e ekzekutivit dhe të tjerat kanë luajtur rolin më shumë sesa gjykatat që duhet ta luajnë rolin e tyre; të tjerët janë marrë me cilësimin dhe fajësimin e të tjerëve dhe shpalljen fajtorë në vend të gjykatës; do ta mbajmë në mend për një Kushtetutë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, që nuk ka kush ta mbrojë...”

“Gjykata Kushtetuese nuk është në funksion të mbrojtjes së kushtetutshmërisë e ligjshmërisë. Do ta mbajmë në mend për një vit të shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut në Kosovë”,
thotë Kërveshi.

Ndërsa vlerësimet e vazhdueshme qoftë nga institucionet e Kosovës apo edhe nga prania civile ndërkombëtare janë se ka një zbatueshmëri të kënaqshme të Kushtetutës, sipas Kujtim Kërveshit, këto deklarata janë më shumë politike, sesa që kanë të bëjnë me realitetin.

“Mendoj se bashkësia ndërkombëtare më tepër jep vullnet në këtë aspekt për të mos krijuar një dyshim te masat e mëdha të qytetarëve në moszbatueshmërinë e Kushtetutës, por edhe mediat, edhe shoqëria civile, edhe njohësit e legjislacionit të Kushtetutës, janë të vetëdijshëm për problemet që na ndodhin në Kosovë”, thekson Kërveshi.

Ndërsa Kosova ka nxjerrë tash e një vit Kushtetutën e saj, në fuqi mbetet edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, si bazë e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Analisti Ramush Tahiri thotë se në Kosovë tash ka dy misione, ai i OKB-së dhe i BE-së. Por, sipas tij, është me rëndësi që Kombet e Bashkuara nuk kanë reaguar negativisht ndaj pavarësisë së Kosovës dhe kjo i ka mundësuar Kosovës që të vazhdojë tutje me aktet dhe ligjet e veta, pa u penguar nga ndërhyrjet e Rezolutës 1244.

Unë konsideroj se ky është një tranzicion i ri i Kosovës me një përgjegjësi më të madhe të institucioneve vendore, domethënë edhe me Kushtetutën si aktin më të lartë, dhe mendoj se ky tranzicion edhe në formën e administrimit të butë do të jetë derisa Kosova të bëhet anëtare e BE-së dhe OKB-së. Do të thotë, është një periudhë 5 deri në 10 vjeçare”, vlerëson Tahiri.

Kushtetuta e Kosovës ka për bazë Pakon e Ahtisaarit, si dokument gjithëpërfshirës për statusin. Kjo Kushtetutë nuk përfillet ende nga përfaqësuesit e serbëve, sidomos në veri të Kosovës, ndërkaq njihet nga instancat ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG