Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria konsideron se përmes shtrirjes së misionit të EULEX-it janë bërë hapa konkretë drejt integrimit të veriut. Por, përfaqësues të opozitës mendojnë se nuk ka strategji per integrim dhe se plani gjashtëpikësh i OKB-së po pengon shtrirjen e autoritetit të Kosovës.


Disa nga hapat që EULEX-i ka ndërmarrë në veri, si rinisja e punës në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, regjistrimi i mallit në pikat doganore në kufi me Serbinë dhe prania e policisë evropiane, shihen nga Qeveria e Kosovës si hapa konkretë drejt integrimit të pjesës veriore të vendit; pavarësisht, se strukturat paralele serbe funksionojnë të papenguara.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, pranon se veriu është i mbushur me grupe që injorojnë rendin dhe ligjin. Por, thotë të jetë strategji e Qeverisë që të mos përdorë forcën për të kthyer rendin në këtë pjesë të mbetur jashtë kontrollit.

Zenun Pajaziti
“Është e vërtetë që atje ka ende grupe që pretendojnë se përfaqësojnë komunitetin e tyre, por janë grupe që i shkaktojnë telashe edhe popullatës civile atje. Ne, si qeveri, nuk kemi dashur që të bëjmë zgjidhje policore për gjendjen. Jemi koordinuar me të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare për t’u ofruar qytetarëve një paketë masash, që kanë qëllim përmirësimin e jetës së tyre atje”,
pohon ministri Pajaziti.

Mosintegrimi i pjesës veriore, sipas ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Kuçi, po pengohet nga plani 6-pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

Prishtina zyrtare thotë se ky plan për të është i vdekur. Por, Blerim Kuçi, që tashmë ka kaluar nga partneri qeverisës Lidhja Demokratike e Kosovës në partinë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mendon se i vdekur plani mund të jetë vetëm nga aspekti deklarativ.
Gjashtëpikëshi është pengesë, sepse ua pamundëson edhe doganave, edhe policisë shtrirjen në veri. Po të mos ishte 6-pikëshi, kjo tashmë do të kryhej.

“Gjashtëpikëshi është pengesë, sepse ua pamundëson edhe doganave, edhe policisë shtrirjen në veri. Po të mos ishte 6-pikëshi, kjo tashmë do të kryhej. Institucionet, vullnet nuk them që nuk kanë, por duhet të kenë guxim në atë vullnet. Ky guxim te institucionet tona mungon tash për tash, nuk po shihet, nuk është i prekshëm”, thotë Kuçi.

Sipas Kuçit, institucionet duhet të tregojnë se janë të fuqishme përballë strukturave paralele serbe. Kjo, thotë ai, do të bënte që serbët kosovarë ta kthejnë shikimin kah Prishtina, e jo kah Beogradi.

“Nëse ne tregojmë se jemi të pafuqishëm, s’kemi vullnet dhe guxim për shtrirje të pushtetit, ata do të bëhen me Beogradin. Tjetër është lulëzimi i kontrabandës, që u mundëson përfitime personale të popullatës dhe jo të vogla”, pohon Kuçi.

Por, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, nuk mendon se përdorimi i forcës do t’ua kthejë mendjen serbëve që të jenë lojalë karshi institucioneve të Kosovës.

“Masat që po merren, nuk janë masa të dhunshme, qoftë për t’i disiplinuar ato grupe, ata njerëz, që në forma të ndryshme po e pengojnë progresin atje. Ne po punojmë më tepër për t’ua dhënë mesazhin e qartë banorëve atje se institucionet tona janë institucione që punojnë për të gjithë qytetarët pa dallim”,
tha Pajaziti.

Një vit nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, kanë qenë vetë disa përfaqësues institucionesh që kanë pranuar se akti më i lartë juridik po sfidohet në veriun e banuar me shumicë serbe. Opozita mendon se gjendja pezull në veri do të vazhdojë, për aq sa institucionet nuk dalin me plane konkrete për integrim. Sërish Blerim Kuçi:

“Status-quo ka, por sa do të jetë prezente, varet nga institucionet tona. Mënyra se si i janë qasur 6-pikëshit, është me rëndësi, por edhe rregullimi i raporteve me UNMIK-un prapë është një çështje në vete dhe krejt kjo sjell një amulli. Por, kjo amulli është e pranueshme për institucionet tona; domethënë, në një mënyrë është marrëveshje”, thekson Kuçi.

Zgjidhja e problemit të veriut, përkatësisht Mitrovicës, nga institucionet shihet në Pakon Ahtisaari, e cila parasheh shndërrimin e Mitrovicës në qytet me dy komuna. Por, plani nuk u jetësua për shkak të kundërshtimit të palës serbe.

Ndërkohë, kthimi i normalitetit në këtë pjesë të Kosovës pengohet vazhdimisht nga grupe të ndryshme, për të cilat Ministria e Rendit thotë t’i ketë identifikuar. Së fundi, ka disa ditë që serbët në Mitrovicë po protestojnë, për të penguar kthimin e shqiptarëve në veri. Këto protesta, sipas kreut të Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, kanë synim spastrimin etnik të veriut nga shqiptarët.
XS
SM
MD
LG