Ndërlidhjet

Mustafa: Ndikimi i krizës ekonomike është i theksuar


Muhamet Mustafa

Muhamet Mustafa

“Duhet të bëjmë gjithçka që të nxisim investime në Kosovë. Ne kemi nevojë për investime që duhet të gjenerojnë një rritje ekonomike mbi 7%”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Muhamet Mustafa, udhëheqës i Institutit Riinvest.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Mustafa, institucione të ndryshme ekonomike, sikurse vendore ashtu dhe ndërkombëtare, kanë tërhequr vërejtjen se gjendja ekonomike dhe sociale ne Kosovë vazhdon të mbetet e pandryshueshme. Ku mendoni ju se qëndron problemi?

MUHAMET MUSTAFA
Problemi qëndron se ne kemi trashëguar një histori shumë të vështirë ekonomike. Industrializimi në Kosovë ka filluar shumë vonë, vetëm në vitet ’60. Pastaj, kemi pasur një zhvillim të suksesshëm prej gjysmës së viteve ’60 deri në fund të viteve ’70.

Por, në 25 vjetët e fundit, në Kosovë është investuar fare pak dhe ka qenë problematike qeverisja në ekonomi. Dihet, në kohën e viteve ’90, se çfarë ka ndodhur këtu – ka qenë praktikisht një lloj kolonializmi dhe pastaj, në kohën e UNMIK-ut, kemi pasur një status-quo sa i përket zhvillimit.

UNMIK-u ka qenë një administrator deri diku i suksesshëm, por në aspektin e hapjes së perspektivave për zhvillim, në të shumtën ka dështuar.

Tani, gjendemi ku gjendemi, kemi një status të zgjidhur; natyrisht se nuk mund të bëhen mrekulli shpejt, por ende kemi probleme me cilësinë e qeverisjes ekonomike, ende duhet t’i përsosim politikat ekonomike, sidomos të inaugurojmë një cikël të ri investimesh, i cili do të ngjallte normat e rritjes ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova, madje, siç thuhet, bën pjesë në vendet me ekonomi të dobët. Edhe sa kohë duhet të kalojë që Kosova të heqë etiketën e vendit më të varfër në Evropë?

MUHAMET MUSTAFA
Nëse (Kosova) do të krijonte disa parakushte në aspektin e infrastrukturës, të përmirësonte cilësinë e edukumit dhe të qeverisjes - me këtë do t’i rritte kapacitetet absorbuese për investime dhe për zhvillim.

Është fakt se ne kemi diku 1700-1800 euro të GDP-së për një banor dhe me këtë ndoshta janë edhe dy-tri vende të ngjashme. Ne jemi diku në nivel të zhvillimeve rreth 60 për qind të mesatares së Ballkanit Perëndimor.

Unë mendoj se Kosova ka burime dhe ka një pozicion mjaft të volitshëm dhe nëse do të krijonte disa parakushte në aspektin e infrastrukturës, të përmirësonte cilësinë e edukumit dhe të qeverisjes, me këtë do t’i rritte kapacitetet absorbuese për investime dhe për zhvillim – Kosova nuk do të ishte një problem aq serioz sa i përket zhvillimit ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Kriza ekonomike globale aktualisht përbën një shqetësim për pjesën më të madhe të shteteve. Sa do të ketë ndikim kjo krizë në Kosovë dhe si duhet vepruar Kosova në këtë drejtim?

MUHAMET MUSTAFA
Ndikimi që tani është i theksuar. Eksporti tregon shenja të dobësimit – një eksport përndryshe shumë i dobët, që ka mbuluar vetëm 11 për qind importin para krizës, tash dobësohet edhe më tutje. Dërgesat dobësohen dhe investitorët do të jenë më hezitantë, e ndoshta edhe donatorët.

Çfarë duhet të bëjmë? Gjithçka duhet të bëjmë që të nxisim investime në Kosovë. Ne kemi nevojë për investime – investime që duhet të gjenerojnë një rritje ekonomike mbi 7 për qind – jo tash kur është kriza në kulm, më 2009 apo 2010.

Por, duhet t’i bëjmë të gjitha përgatitjet që pas 2010-ës ose më 2010 të startojmë me një ritëm rritjeje mbi 7 %, për ta adresuar problemin e papunësisë, problemin e varfërisë, sepse vetëm në atë mënyrë Kosova mund t’i harmonizojë deri diku indikatorët e vet makroekonomikë dhe të dalë nga një zonë e shpërpjestimeve të theksuara në aspektin makroekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se investimet e pritshme që ka pasur Kosova në aspektin ekonomik, nuk janë realizuar. Pse ndodh kjo?

MUHAMET MUSTAFA
Njerëzit kanë menduar se menjëherë pas zgjidhjes së statusit, investitorët do të vrapojnë. Ka qenë një pritje reale, sikurse ka qenë një pritje reale se zgjidhja e statusit vetvetiu i zgjidh problemet.

Zgjidhja e statusit krijon vetëm parakushte për të pasur një qeverisje më të mirë. Sa këto parakushte ne i bëjmë realitet, i vëmë në jetë, varet nga qeverisja ekonomike, politikat ekonomike, shteti ligjor, sa jemi atraktivë për investime...

Prandaj, unë mendoj se me anëtarësimin në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, që duhet të ndodhë të shpresojmë gjatë kësaj pranvere, ne do të dërgojmë një porosi tek investitorët seriozë se Kosova është çështje e zgjidhur, nuk ka pasiguri sa i përket statusit politik dhe kjo do të jetë shumë me vend.

Ju e dini se Kosovën e kanë njohur vetëm 57 shtete, ka probleme me gjyqin, por vetë anëtarësimi në Bankën Botërore dhe në FMN do të jetë shumë domethënës për investitorët dhe do të dërgojë një porosi reale.

Por, në anën tjetër, ne duhet t’i shfrytëzojmë kapacitetet tona të brendshme, që të krijojmë një mjedis miqësor për investime. Unë po e përsëris këtë shpesh, sepse vërtet është vitale.

RADIO EVROPA E LIRË
Është vlerësuar po ashtu se Serbia gjendet në një krizë ekonomike, të cilën, siç është thënë, do të duhej ta shfrytëzonte Kosova për të kaluar në avantazh politik karshi Serbisë. Sa është ekonomia, në fakt, e ndikuar nga politika dhe anasjelltas?

MUHAMET MUSTAFA
Natyrisht që politika ka ndikimet e veta. Cilësia e qeverisjes në Kosovë dominohet nga partitë politike, një rol të vogël Parlamenti; nëse Parlamenti nuk e ka rolin e madh, nuk mund të luajë rolin e vet për transparencë dhe përgjegjësi.
Mendoj se Kosova do të duhej patjetër të fillojë të sillet si shtet i pavarur dhe të aprovojë reciprocitetin me Serbinë.

Serbia natyrisht që ka një politikë jashtë kohës dhe jashtë kontekstit, në kundërshtim me tendencat për integrime në rajon, dhe unë mendoj se Kosova do të duhej patjetër të fillojë të sillet si shtet i pavarur dhe të aprovojë reciprocitetin me Serbinë.

Nëse Kosova do t’i tregonte këto afinitete, unë mendoj se Serbia do të fillonte t’i korrigjonte sjelljet e veta, por jo me apele. Serbia asnjëherë nuk do t’i korrigjojë sjelljet vetëm me apele, që i vijnë qoftë prej bashkësisë ndërkombëtare ose prej institucioneve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, a mund të ketë marrëdhënie në aspektin ekonomik Prishtinë-Beograd, përderisa mungon njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar?

MUHAMET MUSTAFA
Unë mendoj se mund të ketë, por duhet të akceptohen realitetet e reja. Ka shumë shtete që nuk kanë marrëdhënie politike në nivel, por ekonomikisht bashkëpunojnë.

Fundi i fundit, ne kemi pasur marrëdhënie ekonomike edhe përpara, edhe tash. Unë mendoj se marrëdhëniet ekonomike janë para së gjithash në interes të Serbisë. Kosova nuk duhet shumë të brengoset, Serbia duhet të brengoset, për arsye se asgjë nuk prodhon Serbia që ne nuk mund ta gjejmë në tregjet tjera, ndoshta edhe me cilësi më të mirë, edhe me çmim më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa po e pengojnë këto marrëdhënie zhvillimin ekonomik rajonal?

MUHAMET MUSTAFA
Patjetër që krijojnë një atmosferë tensioni. Merreni me mend, kur të shkojnë në takime rajonale, ose mbetet i dëshpëruar delegacioni i Serbisë, ose delegacioni i Kosovës – njëri duhet të reagojë ose ta lëshojë mbledhjen. Pra, krijon një atmosferë tensioni.

Kështu që bashkësia ndërkombëtare duhet t’ia bëjë me dije Serbisë se këto janë procese të pakthyeshme, janë procese që kanë të bëjnë me shëmbjen e komunizmit, e tolitarilizmit dhe neokolonializmit në botë. Kosova ndoshta ka qenë kolonia e fundit, se në Evropë nuk ka pasur koloni.

Por, Serbia duhet ta kuptojë se këto janë realitete të pakthyeshme dhe bashkësia ndërkombëtare, mendoj se me një gjuhë më të qartë, duhet t’u tregojë forcave demokratike të Serbisë se ato duhet të ballafaqohen me të kaluarën e tyre.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG