Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e Kosovës është e interesuar që të marrë bekimin e serbëve lokalë dhe jo të Beogradit për procesin e decentralizimit, i cili parasheh krijimin e komunave të reja serbe. ICO thotë se serbët duhet ta dinë se ky është shansi i vitit për ta.


Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës konsiderojnë se Beogradi zyrtar po manipulon serbët lokalë edhe në procesin e decentralizimit. Këto komente vijnë pas deklaratave të sekretarit shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, se serbët nuk mund të bashkëpunojnë nëse procesin e decentralizimit e drejton Zyra Civile Ndërkombëtare apo Qeveria e Kosovës.

Ivanoviq ka thënë se serbët do t’ia besonin këtë proces vetëm Këshillit të Evropës, për të ruajtur kështu neutralitetin.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, mendon se janë serbët lokalë, e jo Beogradi zyrtar, ata që do vendosin për këtë proces.

“Për ne nuk është me rëndësi Qeveria serbe, se ky është një shtet tjetër; për ne është me rëndësi komuniteti lokal serb. Çdo ditë e më shumë, në terren, komuniteti lokal serb është duke e kuptuar rëndësinë e decentralizimit, ndërsa sa i përket Serbisë, me siguri se ata, në angazhimet destruktive, do të kenë mundësi për ta manipuluar procesin, në kuptimin e manipulimit të komunitetit lokal, por në asnjë mënyrë nuk mund ta ndalin këtë proces”,
u shpreh Krasniqi.

Por, ka edhe nga ata serbë lokalë, që nuk pranojnë decentralizimin e udhëhrqur nga institucionet e Kosovës, pavarësisht se me këtë proces ata fitojnë pavarësi të madhe në qeverisjen lokale.

Kreu i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se vendimi për decentralizim mund të jetë i pranueshëm për palën serbe në kuadër të modifikimit të planit të Ahtisaarit dhe pranimit të 6-pikëshit.

“Në njërën anë kemi planin e Martti Ahtisaarit, që parasheh decentralizimin, e i cili nuk është i pranueshëm për komunitetin serb, por që ka pjesë që mund të jenë të pranueshme. Përpjekjet e tanishme që përmes Zyrës së Pieter Feithit të realizohet plani i Ahtisaarit, janë të rrezikshme dhe nuk do të kenë sukses”.

“Shumica e serbëve nuk pranojnë një decentralizim të tillë dhe për këtë arsye do të gjenden ca serbë që e pranojnë dhe nga ky veprim do t’i shkaktohen dëme të mëdha komunitetit serb, duke i vënë serbët në pat-pozicion”,
u shpreh Veliq.

Serbët në masë të madhe nuk pranojnë bashkëpunimin me ICO-në, pasi që në bazë të planit të Ahtisaarit, ajo ka mandat që të monitorojë punën e institucioneve të pavarura të Kosovës.

Por, kjo zyrë ua tërheq vëmendjen serbëve se procesi i decentralizimit është shansi i vitit për ta. Me këtë proces parshihet krijimi i pesë komunave të reja serbe dhe zgjerimi i një komune aktuale.

“Oferta është në tavolinë, u takon serbëve lokalë që të vendosin nëse duan ta pranojnë këtë ofertë", thotë zëdhënësi i ICO-së, Kai Muller Berner.

Ai nuk mendon se duhet të ketë ndonjë organizatë tjetër, siç është propozuar nga Ivanoviq, Këshilli i Evropës, që të merret me këtë proces.
Kjo ofertë duhet shikuar me shumë seriozitet nga ana e serbëve lokalë, sepse përmes saj mund të përfshihen në mekanizmat vendimmarrës.

“Procesi i decentralizimit është iniciativë e Qeverisë së Kosovës dhe procesi gjendet në një fazë të avancuar. Është ofertë për serbët, për të pasur më shumë vetëqeverisje lokale. Kjo ofertë duhet shikuar me shumë seriozitet nga ana e serbëve lokalë, sepse përmes saj mund të përfshihen në mekanizmat vendimmarrës. Ne po shohim shenja inkurajuese”, u shpreh Berner.

Krijimi i komunave të reja parashihet me Ligjin për kufijtë administrativë, ligj ky që buron nga pakoja e Ahtisaarit. Lokalitetet e banuara me shumicë serbe që pritet të shndërrohen në komuna, janë: Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica veriore, si dhe zgjerimi i komunës aktuale të Novobërdës.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë se komunat e reja mund t’i legjitimojë vetëm dalja e serbëve në zgjedhjet lokale. Por, zëdhënësi Krasniqi nuk sheh domosdoshmërisht ndërlidhje me pjesëmarrjen në zgjedhje dhe procesin e decentralizimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG