Ndërlidhjet

Vazhdon procesi intervistues për gjyqtarët


Anëtarët e panelit intervistues për përzgjedhjen e gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës thonë se janë afruar punët deri te publikimi i emrave për kandidatët përkatës për këtë institucion.



Përzgjedhja e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës po vazhdon edhe më tutje, bëjnë të ditur anëtarët e Komisionit për përzgjedhjen e gjykatësve.

Sipas pakos së Ahtisaarit, Gjykata Kushtetuese do t’i ketë 9 gjyqtarë, prej të cilëve 4 shqiptarë, 3 ndërkombëtarë dhe 2 minoritarë.

Ibrahim Makolli, anëtar i Komisionit nga Aleanca Kosova e Re, konsideron se procesi është duke shkuar sipas proceduarve ligjore. Sipas tij, për pak ditë do të dihen emrat e kandidatëve, që do të votohen nga Kuvendi i Kosovës.

Ibrahim Makolli
“Tash si komision jemi në fazën përfundimtare të zgjidhjes se kësaj çështjeje. Sikurse dihet, jemi në fazën e tretë të të gjithë procesit, që do të fillojë në ditën e nesërme, kur është intervistimi i kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Besoj shumë që brenda pak ditësh do të dihen emrat e kandidatëve që do të jenë para seancës për t’u votuar”,
tha Makolli.

Edhe anëtari tjetër i panelit intervistues nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se procesi është duke shkuar mirë.

“Paneli intervistues, i udhëhequr nga vetë kryetari i Kuvendit, është në fazën e intervistave me gojë, që pritet të fillojnë të mërkuren në mëngjes. Nga lista që tashmë është miratuar, përveç kandidatëve që kanë pasur problem me kriteret që janë përcaktuar dhe janë kategori kushtetuese, besoj që pjesa e intervistës me gojë do të kryhet dhe pastaj është procesi i vlerësimeve”, u shpreh Haziri.

Ndërkaq, përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare kanë bërë të ditur se tanimë kanë mbyllur konkursin për pranimin e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë për Gjykatën Kushtetuese.

Ata nuk kanë dhënë detaje mbi kandidatët, por kanë sqaruar se të dhëna më të hollësishme do të publikojnë në ditët e ardhshme.

Nga ana tjetër, ekspertë të drejtësisë kanë vlerësuar se procesi për zgjedhjen e gjyqtarëve për gjykatës kushtetues, nuk do të jetë i lehtë.

Një gjë të tillë e thonë edhe anëtarët e Komisionit parlamentar për përzgjedhjen e kandidatëve. Lutfi Haziri mendon se një nga sfidat në këtë drejtim, do të jetë procesi i përzgjedhjes se kandidatëve dhe votimi i tyre.

Lutfi Haziri
“Realisht, sfida më e madhe për kandidatët ka të bëjë me kriteret shumë rigoroze, meqë në media ka dalë shumëçka që e lidh çështjen e këtyre kandidatëve me vetë prioritetet që përcaktohen. Sfidë është verifikimi i kandidaturave para emërimit nga ana e Parlamentit, sepse dy e treta duhet të votohen”,
tha Haziri.

Kurse, një problem tjetër që është paraqitur deri më tash, sipas Makollit, është moskandidimi i asnjë gjyqtari nga radhët e komunitetit serb.

“Vështirësia tjetër që e kemi pasur dhe që ekziston edhe tash, është ajo se deri tash nuk është paraqitur asnjë kandidat i komunitetit serb, që parashihet të jetë një prej tyre. Ndërkaq, sa i përket kandidatëve të komuniteteve të tjera, kemi dy kandidatura”, pohoi Makolli.

Thuhet se përzgjedhja e 3 kandidatëve ndërkombëtarë nga ICO nuk do të marrë aq kohë sa edhe përzgjedhja e 6 kandidatëve kosovarë, sepse ata nuk do të votohen nga Kuvendi, siç ndodh me gjykatësit vendës.
XS
SM
MD
LG