Ndërlidhjet

logo-print

Kosova e Shqipëria do të jenë shtete të integruara në BE, ku kufijtë më nuk do të jenë të rëndësishëm, tha sot presidenti Fatmir Sejdiu, pas takimit me pretendentin e fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu i Parë.


Askush nuk mund t’i pengojë më Kosovën dhe Shqipërinë që të bashkëpunojnë si dy shtete mes vete, tha sot presidenti Fatmir Sejdiu. Këto komente, Sejdiu i bëri pas takimit që zhvilloi me pretendentin e fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu i Parë, i cili nga dita e djeshme po qëndron në Kosovë.

Presidenti Sejdiu tha se bashkëpunuimi dhe ndihma reciproke mes këtyre dy shteteve do të zgjerohet dita-ditës. Kurse, në të ardhmen, me integrimet evropiane, Sejdiu tha se kufijtë dhe çështjet procedurale do t’i takojnë së kaluarës.

“Kosova dhe Shqipëria janë dy realitete të arritura dhe të kohës. Janë dy shtete të pavarura që askush nuk mund t’i ndajë asnjëherë në kuptimin e ndihmës dhe mbështetjes reciproke. Për ne është me rëndësi që do të lëvizim bashkë në ndihmesë dhe në shfrytëzim përvojash në proceset integruese”.

“Them se familja evropiane është familje e madhe, e përbashkët, sepse edhe Kosova, edhe Shqipëria janë në Evropë dhe natyrisht se nesër, flas në kuptimin metaforik, edhe me Kosovën, edhe me Shqipërinë, por edhe me vendet e rajonit, çështja e kufijve do të jetë çështje e kaluar, flas në kuptimin procedurave. Pra, do të jenë komunikime të lirshme”,
tha Sejdiu.

Ndërkohë, pretendenti i fronit mbretëror, Leka Zogu I, tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një orientim të përbashkët për të ardhmen. Ky orientim, sipas tij, vërehet edhe në komunikimet mes autoriteteve të Prishtinës dhe Tiranës.

“Dua të nënvizoj se miqësia dhe mirëkuptimi që ka ekzistuar në këtë bisedë, është ajo e një miqësie themelore të dy shteteve, që po shkojnë në drejtim dhe në të njëjtën rrugë”, tha Leka Zogi I.

Për shkaqe shëndetësore, takimin me Ramush Haradinajn e ka zhvilluar princi Leka i Dytë, dhe jo pretendenti i fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu I. Pas këtij takimi, Ramush Haradinaj tha se Kosova dhe Shqipëria kanë preokupim të përbashkët thellimin e marrëdhënieve reciproke, duke shfrytëzuar modelet evropiane.

“Preokupim është që të thellohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha aspektet ose mundësitë që ekzistojnë, duke u bazuar në modelin evropian dhe në instrumentet e metodat që i ka Evropa në përdorim për integrim të ndërsjellë”, theksoi Haradinaj.

Ndonëse ishte paralajmëruar një takim ndërmjet pretenduesit për fronin mbretëror shqiptar me kryeministrin Hashim Thaçi, ai nuk është realizuar. Sipas Zyrës së Kryeministrit, ishte marrëveshje protokollare që takimi të mbahej nesër dhe jo sot.

Në ditën e tretë të qëndrimit të tij në Kosovë, Leka Zogu i Parë pritet të shpallet nesër “Qytetar nderi” i Komunës së Vitisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG