Ndërlidhjet

Bie kontrabanda në veri


Pika kufitare Jarinë
Pika kufitare Jarinë

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, që nga vendosja e patrullave lëvizëse dhe statike të EULEX-it në pikat doganore në veri, janë shtuar të hyrat legale të mallrave. Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës, muajve të fundit, është shënuar rënie e kontrabandës së mallrave në këto dy pika kufitare.


Dy pikat kufitare në veri të Kosovës, të cilat janë ende jashtë kontrollit të doganierëve kosovarë, kanë filluar të jenë më profitabile. Ndonëse ende nuk janë funksionale si duhet, në këto dy pika janë rritur të hyrat e mallrave legale, thonë përgjegjësit e Doganave të Kosovës.

Naim Huruglica, drejtor i Doganave të Kosovës, thotë se me zhdoganimin e mallrave që hyjnë nga pikat kufitare 1 dhe 31, janë rritur të hyrat dhe ka pasur zvogëlim të kontrabandës, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Mund të them lirisht që ka një rënie prej gati 70 – 80 për qind të asaj çka ne e kemi njohur si kontrabandë, apo së paku e kemi supozuar, pasi që nuk e kemi ditur kurrë saktësisht se sa ka qenë kontrabanda pas djegies së dy pikave doganore”, u shpreh zoti Huruglica.

Sipas tij, të hyrat në muajt e fundit janë rritur si rezultat i regjistrimit të mallrave nga doganierët e EULEX-it, të cilët janë vendosur në pikat kufitare 1 dhe 31.

Pikat doganore në veri të vendit nga fillimi i muajit shkurt janë kthyer në pika regjistrimi për mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia. Këtë regjistrim të mallit janë duke e bërë përfaqësuesit e EULEX-it në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

“Derisa nuk vendosemi me zyrtarët tanë plotësisht në ato dy pika, nuk mund të themi se problemi është zgjidhur në tërësi”, thekson drejtori i Doganave të Kosovës, zoti Huruglica.

Rënien e nivelit të kontrabandës në pikat kufitare Jarnië dhe Zubin Potok, e konfirmon edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka.
Që nga vendosja e EULEX-it, niveli i kontrabandës ka rënë dukshëm. Këtë e tregojnë edhe statistikat e mallrave të konfiskuara nga policia.

“Që nga vendosja e EULEX-it, niveli i kontrabandës ka rënë dukshëm. Këtë e tregojnë edhe statistikat e mallrave të konfiskuara nga policia. Akoma vazhdon punën grupi punues për parandalimin e kontrabandës. Gjithashtu janë në funksion patrullat shtesë të policisë në këto dy pika kufitare”, thotë zoti Beka.

Mirëpo, eksperti për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, konsideron se mosfunksionimi si duhet i pikave doganore në veri të Kosovës, po rrit edhe më shumë kontrabandimin e mallrave - gjë që po shënon humbje të mëdha për ekonominë kosovare.

“Problemi ka të bëjë edhe me mungesën e infrastrukturës ligjore që e rregullon këtë problematikë të ndëshkimit të atyre që shkelin rregulloret ekzistuese, si dhe problemi i masave mjaft të lehta apo ndëshkimet në pagesa shumë të vogla për ata që bëjnë vepra të tilla”, thotë zoti Bektashi.

Ndryshe, pikat 1 dhe 31 u dogjën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Prej atëherë, administrata doganore nuk është e pranishme, ndërsa pikat mobile të kontrollit janë vënë në thellësi të territorit të Kosovës, në pjesën e Mitrovicës. Përveç doganave, deri më tani në këto pika doganore askush nuk ka bërë regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
XS
SM
MD
LG