Ndërlidhjet

logo-print

Ligji për veteranët e UÇK-së pret amandamentimin


Vazhdon greva...

Vazhdon greva...

Veteranë dhe invalidë të UÇK-së po vazhdojnë grevën. Një nga kërkesat e tyre është dhe zbatimi i Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, për të cilin ligj ligjvënësit kosovarë thonë se duhet të amandamentohet, që më pas të jetë i zbatueshëm.


Veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë sot në ditën e dytë të grevës së tyre para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Ata thonë se janë të vendosur të qëndrojnë aty deri në realizimin e kërkesave të tyre nga ana e institucioneve. Një nga kërkesat e tyre është zbatimi i Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, ligj ky i cili është miratuar në shkurt të vitit 2006, por që nga atëherë nuk zbatohet në tërësi.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, thotë se ligji duhet të ndryshojë, pasi që, sipas tij, ai nuk po zbatohet.

“Konkretisht këtu kemi kërkuar të ndryshohet ngritja e pensioneve, të bëhet një ngritje pak më solide për këto kategori. Ky ligj zbatohet vetëm në pensionet e invalidëve të luftës dhe në pensionet e familjeve të dëshmorëve. Kurse, kategoritë e veteranëve nuk përfitojnë asgjë. Edhe pensionet e invalidëve të luftës janë nën asistencë sociale”, thotë Qeriqi.

Nga ana tjetër, ligjvënësit kosovarë pohojnë se moszbatimi i atij ligji vjen si pasojë e buxhetit të kufizuar.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, thotë se ligji duhet të amandamentohet që më pas të jetë i zbatueshëm.

Kuvendi i Kosovës
“Ne duhet të kemi kujdes që ky ligj t’i përmbushë të gjitha kriteret, të jetë në favor të kategorisë për të cilën po flasim. Do të ishte mirë që edhe një herë ta shikojmë, se ky ligj në kohën kur është nxjerrë, ju e dini që statusi ka qenë i pazgjidhur. Tash jemi në një situatë pak më ndryshe dhe është mirë që ta shikojmë këtë projektligj dhe të metat eventuale të këtij ligji t’i përmirësojmë në komisione”,
tha Hyseni.

Edhe anëtari tjetër i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi, Ibrahim Makolli, nga Aleanca Kosova e Re, konsideron se në ligj duhet të bëhen ndryshime.

“Konsideroj që tash është koha kur ky ligj duhet të pësojë ndryshime, në mënyrë që të jetë sa më efikas në mbrojtjen e kësaj kategorie të shoqërisë”, theksoi Makolli.

Bahri Hyseni, nga PDK-ja, nuk ka bërë të ditur se sa mund të kushtojë zbatueshmëria e atij ligji, por mendon se institucionet duhet t’u kushtojnë një kujdes më të madh kategorive të dala nga lufta e fundit në Kosovë.

“Unë e kam pak problem tash t’i them shifrat se sa do të kushtojë zbatueshmëria e këtij ligji, pasi që ai është aprovuar në vitin 2006, por është mirë që ligji të shikohet dhe një herë“, tha Hyseni.

Veteranët dhe invalidët e UÇK-së thonë se në takimin me kryeministrin e Kosovës, edhe pse kërkesat e tyre janë quajtur të arsyeshme nga zoti Thaçi, ai nuk ka premtuar se ato do të realizohen. Xhevdet Qeriqi shpjegon :

“Në takimin e parë që kemi pasur me kryeministrin, në ditën e parë të futjes në grevë, kërkesat që ia kemi parashtruar, i ka pranuar edhe ai se janë reale, janë të drejta dhe janë kërkesa minimale. Por, për shkak të kushteve dhe buxhetit të Kosovës, ka thënë se nuk mund të realizohen të gjitha këto”.


Veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë akuzuar institucionet e vendit për moskujdesin e treguar ndaj kategorive të dala nga lufta e fundit në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG