Ndërlidhjet

logo-print

Shërbyesit civilë, të angazhuar në institucionet kosovare, mund të shërbejnë si një hallkë e rëndësishme në parandalimin dhe luftimin e korrupsionet në Kosovë.

Kështu u tha, ndër të tjera, në një tryezë të rrumbullakët me temën “Shërbyesit civilë në luftë kundër korrupsionit”, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Përfaqësuesi i Agjencisë Kosovare Anti-Korrupsion, Muharrem Mustafa, tha se mekanizmi të cilin ai përfaqëson, ka filluar të krijojë kontakte me shërbyes civilë edhe në nivelin lokal, për të përmirësuar rrjetin e informatave që kjo agjenci ka nëpër institucione të ndryshme vendore.

“Në nivelin qendror ne kemi pika kontaktuese që na ndihmojnë për deklarimin e pasurisë dhe pranimin e dhuratave. Tani, në këtë vit, jemi duke caktuar pika kontaktuese edhe në komunat në Kosovë. Në vitin 2008, Agjencia Kosovare Anti-Korrupsion ka pasur disa fushata vetëdijesuese, të orientuara drejt shërbyesve civilë nëpër komuna”, u shpreh Mustafa.

Një përfaqësues i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, i cili mori pjesë në këtë debat, Zeqir Begolli, tha se shërbyesit civilë, në shumë raste, bëhen dhe viktimë, siç e quajti ai, e korrupsionit - gjë që, sipas tij, ndodh për shkak të shkallës së ultë të profesionalizmit të personave në fjalë.

“Shërbyesi civil, tash për tash dhe në këto rrethana, është i pafuqishëm ta luftojë korrupsionin. Madje, ai mund të pësojë nëse ndërmerr ndonjë veprim të tillë. Ka edhe rreziqe të tilla, mirëpo fjala është për një kategori që janë joprofesionistë, nuk e njohin punën e as ligjin dhe të cilët viktimizohen”, tha Begolli.

Në raportin e fundit vjetor të Agjencisë Kosovare Anti-Korrupsion thuhet se hulumtimet e këtij mekanizmi në qeveri, gjykata, prokurori, në pushtetin lokal, si dhe në institucione të tjera, kanë rezultuar me fakte, siç thuhet, për përfshirjen e 53 zyrtarëve të këtyre institucioneve në vepra korruptive - denoncime këto, të cilat u janë përcjellë prokurorive publike kompetente dhe organeve policore.

Pas publikimit të raportit të Agjencisë Kosovare Anti-Korrupsion, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte suspenduar nga detyra disa zyrtarë. Mirëpo, përfaqësuesi i agjencisë, Muharrem Mustafa, vlerëson se, ndonëse ka një vullnet politik për të luftuar korrupsionin, duhet të fuqizohen edhe më tej mekanizmat që ndërmarrin masa ndaj personave të korruptuar.

“Tash ka përpjekje dhe vullnet politik, mirëpo kjo duhet shtuar”, konsideroi Mustafa.

Mungesa e njohurive mbi dukurinë dhe format e korrupsionit brenda institucioneve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë, është një tjetër faktor, i cili, sipas ekspertes për komunikim, Mrika Tahiri, ndikon në krijimin e paqartësive për masat që mund të ndërmerren në luftimin e kësaj dukurie.

Tahiri theksoi se fushatat e ndryshme për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit duhet të jenë më të segmentuara dhe jo aq të përgjithshme. Ajo vlerësoi se fushata të tilla që do të aplikoheshin brenda institucioneve të caktuara veç e veç, do të ndikonin në vetëdijesimin edhe të shërbyesve civilë në këtë drejtim.

“Jo vetëm në rajonin tonë në Ballkan, por në përgjithësi në Evropën juglindore e qendrore shumica e fushatave anti-korrupsion dështojnë për shkak se duan të kenë një mesazh shumë të përgjithësuar dhe gjithëpërfshirës, sepse mendohet t’i drejtohet krejt popullatës me një mesazh gjithëpërfshirës, si për shembull ‘Stop korrupsionit’”.

“Mirëpo, çka nëse njerëzit nuk janë të vetëdijesuar me format e ndryshme të korrupsionit dhe nëse ata nuk dinë se kujt t’i drejtohen?”,
theksoi ajo.

Në dhjetor të vitit 2008, Qeveria kishte publikuar strategjinë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale - strategji kjo, e cila, sipas planit të paraparë për partneritet evropian, duhet të jetë e gatshme deri në qershor të këtij viti.

Lufta kundër korrupsionit, sipas zyrtarëve në vend, vazhdon të mbetet një ndër prioritetet, por edhe sfidë permanente, me të cilën po ballafaqohet ekzekutivi kosovar.
XS
SM
MD
LG