Ndërlidhjet

Kriminaliteti në Maqedoni shënon rritje. Ministria e Brendshme thotë se është në kërkim të autorëve të veprave penale. Ndërkaq, ekspertët konsiderojnë se nevojiten ndryshime të mëdha në politikën e sigurisë, me qëllim që qytetarët të ndjehen më të sigurt në jetën e tyre.


Vrasje, vjedhje dhe të shtëna armësh ndodhin në periudhën e fundit në Maqedoni, madje edhe në orët e ditës. Rasti i fundit është vjedhja e 50 mijë eurove nga banka ‘Pro-credit’ në Shkup, por policia nuk jep detaje rreth hetimit të rastit, sepse, sipas saj, çdo kumtim i detajeve do të jetë në favor të hajdutëve.

Megjithatë, policia thotë se ngjarjet e fundit që tronditin opinionin, po tenton t’i zbardhë dhe është në kërkim të kryerësve të veprave penale.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nazmi Maliqi, deklaroi se ngjarjet e fundit dëshmojnë se politika e sigurisë duhet të përmirësohet dukshëm.

“Politika e sigurisë në Maqedoni ka elemente, të cilat qytetarin e vënë në dilemë se sa është i sigurt në shtëpinë e tij, sa është i lirë dhe sa ka të drejtë për një ekzistencë sociale-ekonomike dhe të tjera. Në Republikën e Maqedonisë, Qeveria e tashme duhet të bëjë reformë të re, e cila u ofron një kuptim politikave të sigurisë në të gjitha aspektet, që qytetari të mos ketë dyshim se sa është pjesë e ligjit dhe e shtetit”, thotë Maliqi.

Pamje në Shkup

Sipas tij, rritja e kriminalitetit është pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Maliqi thotë se vendi duhet të bëjë përpjekje për anëtarësim në NATO, sepse vetëm në atë mënyrë, siç thotë ai, do të rritet siguria në të gjitha aspektet.



Ndërsa, profesori Vlladimir Pivovarov pohon se problem serioz në Maqedoni është posedimi i armëve jolegale. Sipas tij, si pasojë e trazirave në Shqipëri në vitin 1997, në vendet e rajonit kanë qenë të shpërndara rreth 900 mijë armë, një pjesë e të cilave edhe në Maqedoni.

Pivovarov thotë se armët jolegale mund të shkaktojnë probleme më serioze në vend.

“Armët e tilla mund të përdoren për masa më radikale, siç është rrëzimi i sistemit, rrëzimi i dhunshëm i rendit kushtetues në një shtet. Domethënë, problemi nuk është vetëm te vjedhjet, por problemin duhet ta shqyrtojmë shumë më gjerë, siç është kërcënimi i ekzistimit të shtetit”,
tha Pivovarov.

Pivoravov është i bindur se një aksion i ri për grumbullimin e armëve jolegale, do të ndikonte pozitivisht në rritjen e sigurisë së qytetarëve.

Në një analizë të Ministrisë së Brendshme thuhet se policia në planin e neutralizimit të trafikimit të armëve, ka shënuar rezultate të mira. Janë zbuluar rreth 250 vepra penale: mbajtje e armëve pa leje dhe trafikim i tyre, ndërsa është ngritur padi penale ndaj 286 personave.
XS
SM
MD
LG