Ndërlidhjet

Partitë politike nuk preferojnë shtyrjen e zgjedhjeve


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Edhe pse janë potencuar disa pengesa që mund të reflektojnë në shtyrjen e afatit të datës për zgjedhjet lokale, siç janë decentralizimi dhe regjistrimi i popullsisë, deputetët kosovarë konsiderojnë se ato duhet mbajtur në vjeshtën e këtij viti.


Deputetë të Kuvendit të Kosovës besojnë se nuk ka ndonjë arsye që zgjedhjet lokale, të parapara të mbahen sivjet, të shtyhen.

Ndërsa opozita shpreh shqetësime se këto zgjedhje mund të shtyhen nga ana e partive në pushtet, presidenti i ka paralajmëruar subjektet politike se do t’i ftojë shumë shpejt në konsultime në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve.

Po ashtu, edhe deputetë nga radhët e pozitës besojnë se nuk ka rrethana që diktojnë shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.

Ismet Beqiri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, beson se përkundër disa pengesave që paraqiten, siç është regjistrimi i popullsisë - si një prej parakushteve për zgjedhje, megjithatë zgjedhjet do të thirren brenda afatit ligjor, që parashihet për vjeshtën e këtij viti.
Është me rëndësi që të respektohen afatet dhe të mos ndeshen mandatet.

“Zgjedhjet, për mendimin tim, do të duhet të mbaheshin dhe nuk ka ndonjë arsye që të shtyhen. Unë nuk jam ai, i cili e thotë se a mund të jenë një, dy apo tre muaj, që të shtyhen, kjo nuk çon peshë, por mendoj se nuk ka arsye as për këta dy-tre muaj që të shtyhen. Është me rëndësi që të respektohen afatet dhe të mos ndeshen mandatet. Unë besoj që presidenti, ashtu si e ka thënë, së shpejti ta bëjë këtë dhe do ta mbështesin edhe të gjitha subjektet politike, sepse është obligim i yni ligjor”, tha Beqiri.

Ndërkohë, Bajram Kosumi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se institucionet duhet t’i bëjnë më shpejt përgatitjet për regjistrimin e popullsisë, në mënyrë që kjo të mos jetë shkas i shtyrjeve të procesit zgjedhor.

Kosumi rikujton institucionet se Kosova tash ka Kushtetutën dhe ligjet, ku parashihen qartë edhe afatet për zgjedhjet. Andaj, thotë ai, nuk mund të mbetet në vullnetin politik të askujt caktimi apo shtyrja e zgjedhjeve, pasi që kjo parashihet me Kushtetutën e Kosovës.
Për zgjedhjet lokale ka një afat ligjor të paraparë - është fundi i këtij viti dhe zgjedhjet lokale duhet të mbahen deri në fund të këtij viti.

“Për zgjedhjet lokale ka një afat ligjor të paraparë - është fundi i këtij viti dhe zgjedhjet lokale duhet të mbahen deri në fund të këtij viti. Ne përfundimisht duhet të mësohemi që e kemi shtetin dhe duhet të mësohemi të menaxhojmë me shtetin tonë dhe të menaxhojmë edhe me vullnetin e popullit të Kosovës dhe të mbahen zgjedhjet dhe të mos lejojmë që të shtyhen këto zgjedhje
”, thekson Kosumi.

Në favor të mbajtjes së zgjedhjeve sipas afateve kohore shprehet edhe Aleanca Kosova e Re. Ibrahim Makolli, nga kjo parti politike, thotë se vetëm gjendja e jashtëzakonshme do të mund të shtynte zgjedhjet. Kurse në rrethanat ekzistuese, ai thotë se nuk sheh as arsyen e vetme që afatet zgjedhore të shtyhen.

“Ekzistojnë arsyet në bazë të Kushtetutës se kur mund të shtyhen zgjedhjet dhe në Kosovë, për fat të mirë, nuk kemi gjendje të jashtëzakonshme. Madje, unë konsideroj se jo që nuk ka nevojë të shtyhen zgjedhjet, por duhet rishikuar mundësitë që këto zgjedhje të mbahen para afatit të caktuar, për shkak të shumë defekteve që tashmë janë shkaktuar sa i përket qeverisjes lokale”,
deklaron Makolli.

Mandati i institucioneve komunale, sipas afateve ligjore, skadon në vjeshtën e këtij viti. Sipas Kushtetutës, diku gjashtë muaj para zgjedhjeve, presidenti fton subjektet politike për konsultime lidhur me datën e zgjedhjeve.

Aktualisht, si pengesa kryesore që mund të kenë efekte në mbajtjen e zgjedhjeve me kohë, përmenden procesi i decentralizimit dhe ai i regjistrimit të popullsisë, të dyja këto procese që aktualisht po bojkotohen nga pjesa më e madhe e komunitetit serb. Por, sipas partive opozitare, pavarësisht se do të ketë apo jo bojkot, procesi zgjedhor nuk duhet të mbetet peng i këtyre zhvillimeve.
XS
SM
MD
LG