Ndërlidhjet

Bojkoti serb dhe mbajtja peng e proceseve


Qeveria e Kosovës thotë se asnjë proces nuk mund të mbetet peng i bojkotit serb. Në fakt, regjistrimi i popullsisë dhe decentralizmi janë procese që nuk po ecin para për shkak të bojkotit serb.


Institucionet e Kosovës janë të obliguara me ligj, që në pothuaj të gjitha proceset ta sigurojnë pjesëmarrjen e komunitetit serb. Kur pjesëmarrja mungon, proceset si regjistrimi i popullsisë dhe decentralizimi, zvarriten pa kufi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pranon se vonesat po ndodhin për shkak të hezitimit serb.

“Kjo është një nga bllokadat. Ne nuk kemi qenë të interesuar që të bëjmë një regjistrim që nuk do ta paraqiste gjendjen reale në Kosovë. Po ashtu, nuk jemi të interesuar që ta përjashtojmë komunitetin serb. Po bëjmë orvatjet tona që ata të jenë pjesë e këtij procesi dhe unë jam i bindur se do të marrin pjesë. Ka procese që mund të shtyhen, por jo të bllokohen”, u shpreh Kuçi.

Analisti për çështje politike, Ismajl Hasani, mendon se bojkoti që po i bëhet jetës institucionale dhe proceseve demokratike nga ana e serbëve, shkakton dëm të shumanshëm.

“Këto procese ka vite që po cenohen, edhe para ndërmarrjeve serioze në ndërtimin e jetës institucionale në Kosovë, që janë të lidhura pas shpalljes së pavarësisë. Këto janë pengesa serioze që dëmtojnë procesin dhe njerëzve duhet t’u bëhet me dije se këto bojkote dhe rezistenca, nuk mund të shkojnë në pafundësi, se vërtet dëmtojnë procesin, dëmtojnë Kosovën, por dëmtojnë edhe vetveten”, pohon Hasani.

Qëndrimi aktual i Beogradit zyrtar është që serbët në Kosovë nuk duhet të marrin pjesë në proceset që kryhen nga institucionet e Kosovës së pavarur dhe që janë në përputhje me planin e Martti Ahtisaarit. Procese që dalin nga ky plan janë edhe decentralizimi dhe regjistrimi i popullsisë.

Rangjel Nojkiq, kryetar i Lëvizjes për Rimëkëmbjen Serbe për Kosovën, thotë se serbët nuk guxojnë që aq lehtë të heqin dorë nga proceset, aq më tepër nga decentralizimi, sepse vetë janë angazhuar për komuna të reja.

“Serbët duhet të japin propozimet e veta dhe varësisht nëse pranohen ose jo propozimet, tek atëherë duhet të marrin vendim për të marrë pjesë ose jo. Zoti Pieter Feith ka thënë se asgjë nuk është e çimentuar dhe se në të vërtetë ka mundësi dhe ka hapësirë për bisedime, në mënyrë që të gjendet zgjidhje optimale. Kështu që nuk guxojmë ta humbim shansin, por duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht, në mënyrë që t’i jetësojmë të drejtat tona”,
tha Nojkiq.

Është një pjesë krejt e vogël e komunitetit serb që merr pjesë në institucionet e Kosovës, e që rrjedhimisht mbështesin të gjitha proceset. Të tjerët, që janë të përqendruar në veri dhe enklavat serbe, punojnë për strukturat paralele serbe dhe bojkotojnë çdo iniciativë që buron nga institucionet e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi paralajmëron se nuk do të ketë pritje pa kufi.

“Ne do të jemi të kujdesshëm që ata t’i përfshijmë në kuadër të proceseve tona, por zhvillimet politike, demokratike dhe të tjera nuk mund të jenë peng i askujt, e as i komunitetit serb”, theksoi Kuçi.

Ditë më parë, Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës kanë nisur një dialog me përfaqësues të komunitetit serb, për të zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme.

Është pikërisht dialogu, që, sipas Ismajl Hasanit, duhet përdorur nga institucionet për t’i bindur serbët për pjesëmarrje.

“Duhet insistuar në kultivimin e dialogut në marrëveshje mes njerëzve, sepse jemi njerëz të koordinatave të njëjta gjeografike. Por, në të njëjtën kohë, mbase edhe institucionet ndërkombëtare duhet të jenë pak më të organizuara sa i përket jo trysnisë, por përpjekjeve për t’i bindur këta njerëz që të jenë më kooperativë. Përndryshe, Kosova nuk mund të bëhet jashtë Projektit Ahtisaari”, u shpreh Hasani.

Qeveria e Kosovës, fajin kryesor për bojkotin serb ia lë Beogradit zyrtar, i cili vazhdon të financojë strukturat paralele serbe në vend. Ndërkohë, vetë Rangjel Nojkiq pranon se qëndrimi i serbëve ndaj decentralizimit dhe proceseve tjera, varet nga vendimi që sjell Beogradi.

“Mendoj se në këto momente Beogradi duhet të jetë neutral dhe, në anën tjetër, duhet të jetë racional në sjelljen e vendimeve që janë shumë të rëndësishme për komunitetin serb. Kur e them këtë, nuk mendoj në serbët që jetojnë në atë apo këtë pjesë të Kosovës, por serbët që jetojnë në tërë territorin e Kosovës. Dhe, zgjidhja duhet të jetë në përputhshmëri me situatën në të cilën gjenden”, deklaroi Nojkiq.
XS
SM
MD
LG