Ndërlidhjet

logo-print
Ekspertë për çështje ekonomike thonë se kriza financiare në botë mund të ketë ndikim edhe në sistemin bankar të Kosovës. Ata pohojnë se bankat në Kosovë kanë filluar të jenë më konservative në dhënien e kredive, në mënyrë që të mos preken nga kriza ekonomike globale. Por, e gjithë kjo, sipas tyre, do të ndikojë që bankat në Kosovë të mos kenë rritje ekonomike.

Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara, pohon se sistemi bankar i Kosovës ka qenë i izoluar nga tregjet ndërkombëtare dhe se kriza ekonomike nuk ka pasur ndonjë efekt direkt në sistemin bankar.

Sipas tij, kjo arsyetohet me faktin se të gjitha bankat e Kosovës kapitalin e kanë të siguruar nga depozitat e qytetarëve të Kosovës dhe depozitat i kanë të plasuara po në Kosovë.

“Nëse kriza ekonomike globale ka një efekt më të madh në ekonominë e Kosovës në përgjithësi, atëherë ajo do të prekë jo në qëndrueshmërinë e sistemit bankar, por në rritjen ekonomike të bankave, pasi që bankat tanimë kanë filluar të jenë më të kujdesshme në dhënien e kredive”, pohon zoti Ahmeti.

Ai thekson se Qeveria ka shumë masa që duhet të ndërmarrë, por, sipas tij, fillimisht duhet të bëhen analizat bazë mbi atë se ku mund të jenë efektet e krizës. Ahmeti thotë se derisa vendet tjera në rajon janë përgatitur shumë më mirë, autoritetet kosovare po e injorojnë një fakt të tillë.

Për të penguar problemin financiar, disa nga shtetet e ndryshme të botës kanë ndërmarrë hapat e parë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Evropës, për ta penguar këtë problem, i cili ka përfshirë mbarë botën dhe i cili mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik, kanë mbështetur sistemin bankar.

Musa Limani, ekspert për çështje ekonomike, shprehet i bindur se kriza financiare botërore që ka përfshirë ekonominë ndërkombëtare, gjithsesi që do ta përfshijë edhe sistemin bankar të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë së bashku me Bankën Qendrore që mjetet financiare të Trustit Pensional dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të kthehen në Kosovë. Me kthimin e këtyre mjeteve, do të zbutet kriza ekonomike financiare dhe sistemi bankar do ta përballojë shumë më lehtë këtë krizë, sesa që mendohet”,
pohon profesor Limani.

Duke pasur parasysh këtë fakt, profesor Limani sugjeron autoritetet kosovare që të bëjnë një paket masash, ndërsa intervenimi më i rëndësishëm në këtë drejtim, sipas Limanit, duhet të jetë kontrollimi i kredive.

Ndërkaq, profesor Mejdi Bektashi thotë se sistemi bankar i Kosovës nuk është përfshirë në tërësi nga kriza ekonomike globale, por, muajt e ardhshëm, sipas tij, kjo krizë do të mund të reflektohet në sistemin bankar të Kosovës.

“Qëndrueshmëria e sistemit bankar të Kosovës duhet të jetë më e madhe se tek vendet e rajonit, për arsye se depozitat janë më të qëndrueshme. Ndërkaq, problemi më i madh është tek normat e larta të interesit, gjë për të cilën autoritetet kosovare duhet të marrin masa konkrete”, pohon profesor Bektashi.

Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, zhvillimet në sektorin bankar të Kosovës që kanë qenë deri në muajin janar, shkurt dhe mars të këtij viti, tregojnë se sistemi financiar në Kosovë është i qëndrueshëm dhe nuk ka asnjë paralajmërim të hershëm se sistemi bankar i Kosovës mund të goditet në çfarëdo mënyre nga kriza në sektorin financiar.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG