Ndërlidhjet

“BE insiston në vizitën e Tadiqit në Kosovë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka paralajmëruar për sot një vizitë në Kosovë, shkruan e përditshmja “Express”. Paralajmërimi i vizitës së Tadiqit vjen një ditë pasi që autoritetet kosovare i ndaluan hyrjen në Kosovë të ashtuquajturit ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq.

Mirëpo, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka thënë për gazetën “Express” se Policia e Kosovës nuk do të lejojë të hyjë asnjë delegacion zyrtar që nuk ka marrë leje adekuate nga institucionet e Kosovës, e në këtë rast as presidentit serb, Boris Tadiq.

Po në këtë temë, e përditshmja “Koha Ditore” shkruan se Bashkimi Evropian ka këmbëngulur në realizimin e vizitës së presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, në Kosovë, pas kërkesës që ky i fundit i ka bërë Zyrës së BE-së në Beograd. Por, Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ndonjë vendim zyrtar rreth kësaj çështjeje, megjithëse kishte deklaruar se do ta bënte këtë gjatë ditës së djeshme.

Burime ndërkombëtare i kanë thënë “Kohës Ditore”, të enjten mbrëma, se “ekzekutivi i vendit ka dhënë një pëlqim në parim jozyrtar për lejen e kësaj vizite”, megjithëkëtë zyrtarë të lartë të Qeverisë as nuk e kanë pohuar e as mohuar.

Më tej në këtë shkrim te “Koha Ditore” thuhet se Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, vendimin final ia ka lënë Qeverisë së Kosovës, megjithëse i ka rekomanduar që të jetë pozitiv.

Ndërkaq, e përditshmja kosovare “Bota sot” shkruan: “Besojnë në triumfin e Kosovës ndaj Serbisë”.

Edhe pse askush nuk e di përmbajtjen e dokumentit me të cilin Kosova sot do të prezantohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për të mbrojtur ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, pozita dhe opozita, edhe pse kjo e fundit është kritike për mostransparencë të hartimit të dokumentit, besojnë se do të triumfojnë në betejën përballë Serbisë, shkruan kjo gazetë.

“Bota sot” shkruan se ekipi i ekspertëve, i udhëhequr nga avokati britanik, Majkëll Vood, do të deponojë në GJND dokumentin prej qindra faqesh me argumente për pavarësinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka thëne gazetës “Bota Sot” se Kosova po hyn në një proces të iniciuar nga pala e Serbisë, por që nuk mund ta kthejë prapa procesin e shtetbërjes së Kosovës.

Pas prezantimeve të para të dokumenteve, që palët do bëjnë sot, do të ketë një afat prej 3 muajsh kur palët do të shikojnë ballafaqimin e argumenteve, thuhet në “Bota sot”.

“Zgjerohet harta e lokacioneve të dyshuara për varreza masive”. Ky është një shkrim që sjell “Koha ditore”.

Katër lokacione në rajone të ndryshme, Gjilan, Gjakovë, Prizren dhe Prishtinë, janë ato që kanë hyrë në agjendën e hetimeve të Grupit punues për persona të zhdukur në Prishtinë dhe Beograd, në kërkim të gjurmëve për varreza të reja masive.

Informacionet e dhëna nga pala serbe për dyshime për varreza masive shpien në liqenin e Livoçit, në Gorozhub, Koshare dhe Obiliq, për të cilat, pas inspektimit dhe identifikimit të mundshëm të trupave, njëkohësisht do të hapen edhe kallëzime penale.

“Koha ditore” shkruan se sipas autoriteteve kosovare këto do të jenë rastet e para, për të cilat nëse verifikohet se ka trupa të varrosur gjatë vitit 1999, do të dërgohen në prokurori edhe kallëzimet penale.
XS
SM
MD
LG