Ndërlidhjet

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike për 2.5 për qind, prej muajit prill të këtij viti, e ka vënë në pozitë “mes dy zjarreve” këtë zyrë, për shkak të pakënaqësisë së KEK-ut në njërën anë dhe qytetarëve në anën tjetër.

Adelina Murtezaj, zyrtare për marrëdhënie me publikun e Zyrës së Rregullatorit për Energji, thotë se vendimi për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike ka ardhur pas shqyrtimit të kërkesës së Korporatës Energjetike të Kosovës lidhur me këtë çështje.

“Janë rregullat bazë, të cilat e obligojnë Rregullatorin që të bëjë vlerësimin e të hyrave dhe t’u lejojë kompanive të energjisë të hyrat që u nevojiten për të ofruar shërbimet e energjisë. Duke u bazuar në këto të hyra, nxirret edhe çmimi i energjisë, i cili duhet të mbulojë koston reale të këtyre shërbimeve”, tha Murtezaj.

Ndërkaq, Viktor Buzhala, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë se kjo korporatë nuk është e kënaqur me vendimin për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike për 2.5 për qind.

“Jo. Ne kemi kërkuar që tarifat e energjisë elektrike të rriten në mesataren 9. 8 për qind. I kemi identifikuar 3 elementet që duhet rritur ato fatura në atë mënyrë. Do të thotë, ka të bëjë pikërisht me lehtësimin e përkushtimit tonë që t’u ofrojmë qytetarëve energji elektrike sa më kualitative. Pastaj, të reflektojë në koston, sidomos për tarifat e amvisërisë, të cilat vazhdojmë t’i faturojmë nën kosto, si dhe për të na mundësuar një pjesë të investimeve në hapjen e minierës Sibovci jug-perëndim, i cili do të furnizojë termocentralet ekzistente me qymyr nga viti 2010 e tutje. Pra, kjo rritje nuk është e mjaftueshme”, u shpreh Buzhala.

Në anën tjetër, qytetarët kanë reaguar duke e quajtur shtrenjtimin e energjisë elektrike të papërballueshëm për pjesën më të madhe të qytetarëve.

“Sipas mendimit tim, ky është një hap i ngutshëm i Korporatës Energjetike të Kosovës, për shumë arsye. Mirëpo, një prej atyre arsyeve është se masa më e madhe e popullatës gjendet në një varfëri dhe e papunësuar. Mund të thuash lirisht se ky është shtrenjtim që nuk mund ta përballojë qytetari i asaj shtrese”, thotë Selman Rukolli.

Ramadan Zenelaj shprehet: “Me siguri se nuk është vendim i drejtë, për shkak të të ardhurave personale shumë të vogla, ku kostoja e qytetarëve nuk është në gjendje që ta përballojë atë. Dhe, unë mendoj që nuk është e drejtë. Është e papërballueshme për këtë kosto të qytetarëve”.

“Sigurisht që energjia elektrike gradualisht duhet ta përcjellë edhe atë kosto, sepse duhet të bazohet në kosto të ndërtimit të të gjitha kapaciteteve, si dhe transmetimit dhe distribuimit të energjisë elektrike. Mirëpo, në situatën e sotme, të papunësisë ekstreme, ndikon që 2.5 përqindëshi të mos pranohet nga popullata”,
thotë Gëzim Pula.

Sidoqoftë, zonja Adelina Murtezaj thekson se vendimi për tarifat i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka qenë i arsyeshëm dhe i domosdoshëm. Ajo thotë se përqindja prej 2.5 e shtrenjtimit të energjisë elektrike është një baraspeshë në mes kërkesave të KEK-ut dhe gjendjes aktuale sociale në Kosovë.

“Rregullatori konsideron që ka qenë e domosdoshme përqindja prej 2.5 e ndoshta edhe më e lartë. Por, duke pasur parasysh përballueshmërinë e qytetarëve, kjo ka qenë një balancim në mes të përballueshmërisë së qytetarëve dhe qëndrueshmërisë financiare të ndërmarrjes. Kjo ka qenë mundësia më e mirë që ka dalë”, tha Murtezaj.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG