Ndërlidhjet

Kosova dorëzon deklaratën në GJND


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Sot skadon afati kur shtetet anëtare të OKB-së mund të paraqesin vlerësimet e tyre në GJND lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Autoritetet në Prishtinë shprehen të bindura se do fitojnë këtë proces.


Qeveria e Kosovës konfirmon se sot avokati i pavarësisë së Kosovës në këtë proces, britaniku Michael Vood, do ta deponojë në Hagë tek GJND-ja dokumentin e Kosovës me faktet dhe argumentet për pavarësinë.

Zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se Kosova do t’i respektojë afatet dhe procedurat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke besuar se ka më shumë argumente që të dëshmojnë pse Kosova është e pavarur, sesa që mund të ketë kundër-argumente nga ana e Serbisë.

“Kemi angazhuar një ekspert të njohur ndërkombëtar, Sir Michael Wood, i cili ka koordinuar përpjekjet e palës kosovare për një prezantim sa më dinjitoz dhe profesional para GJND-së. Tashmë, pala jonë ka përgatitur mbi 100 faqe argumente të sferave të ndryshme, të cilat do të provojnë legjitimitetin, legalitetin e pavarësisë së Kosovës”, tha Çitaku.

Zëvendësministrja e Jashtme, Çitaku, rikujton se GJND-ja do të japë një mendim këshillëdhënës dhe jo vendim në lidhje me pavarësinë.

“Ne absolutisht jemi të bindur se do të arrijmë të bëjmë një prezantim profesional dhe dinjitoz para GJND-së. Ne besojmë në kauzën tonë. Ky është një mendim këshillëdhënës, jo një vendim me karakter obligativ”,
theksoi Çitaku.

Prishtina dhe Beogradi konfirmojnë dorëzimin me shkrim të argumenteve të tyre tek GJND-ja në Hagë, në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Më pas, deri më 17 korrik, të dyja palët do të kundërshtojnë argumentet e njëra-tjetrës dhe në fund, nëse GJND e sheh të arsyeshme, do t’i ftoj palët edhe në seanca dëgjimore.

I tërë procesi pritet të përfundojë me një mendim këshillëdhënës të GJND-së për pavarësinë, diku prej muajit maj deri në dhjetor të vitit 2010. Marrë parasysh se bëhet fjalë për një mendim këshillëdhënës, autoritetet në Prishtinë nuk besojnë se ky proces do të ketë efekte juridike për statusin e Kosovës.

Por, efektet thuhet se mund të jenë politike, si në rast të mendimit pozitiv, ashtu edhe negativ, të cilat mund të ndikojnë në dinamikën e njohjes së Kosovës si shtet nga vendet tjera.

Sot, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, pritet të paraqesë edhe informacione shtesë para medieve, në lidhje me prezantimin e palës kosovare në këtë proces gjyqësor.
XS
SM
MD
LG