Ndërlidhjet

Tadiq në Kosovë


Boris Tadiq në Manastirin e Deçanit, 17 prill '09.
Boris Tadiq në Manastirin e Deçanit, 17 prill '09.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka qëndruar në Kosovë, për të vizituar Manastirin e Deçanit, në vigjilje të Pashkëve ortodokse. Ai ka dhënë mesazhe paqeje për, siç ka thënë, “serbët, shqiptarët, për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë”.


Gjatë qëndrimit të sotëm në Manastirin e Deçanit, të cilin e vizitoi me rastin e ditës së Pashkëve Ortodokse, presidenti serb, Boris Tadiq, dërgoi porosi për paqe për shqiptarët dhe serbët e Kosovës.

I shoqëruar nga ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, Tadiq arriti në këtë manastir me një helikopter të KFOR-it, ku pas ceremonisë, tha:

“Sot është e premtja e madhe për te gjithë të krishterët. Kjo është ditë e vuajtjes dhe, në të njëjtën kohë, është ditë e shpresës për të gjithë njerëzit që i përkasin krishterimit. Mesazhi im nga Manastiri i Deçanit, duke qëndruar afër lartmadhërisë së tij, kryepeshkopit Teodosije, është mesazh i paqes për serbët, për shqiptaret, për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë”, ka thënë Tadiq.

Sidoqoftë, presidenti Tadiq e cilësoi të rëndësishme të premten e madhe, siç e quajti ai, duke u bërë thirrje shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës të mos kenë urrejtje dhe të kenë besim në paqe.

“Është porosi e paqes, se pa paqe nuk mund ta sigurojmë jetesën tonë, pa besim në paqe nuk mund të kemi jetë normale. Kjo është ditë ku s'duhet të ketë mllef dhe urrejtje. Kjo është ditë ku duhet të kremtohet festa e madhe e krishterë - Pashkët. Në të njëjtën kohë, u dërgojmë porosi serbëve dhe shqiptarëve - vetëm porosi të paqes”, tha Tadiq.

Zoti Tadiq ka hyrë në Kosovë pas një kërkese që i ka bërë zyrës së përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Pieter Feith.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një komunikatë për opinion, ka thënë se ka lejuar hyrjen e zotit Tadiq, “nisur nga fakti se ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës e konsideron këtë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare”.

Në komunikatë, zoti Thaçi gjithashtu ka potencuar se “nëse Presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar”.
XS
SM
MD
LG