Ndërlidhjet

Politika, në masë të madhe, ndikon në çështjet ekonomike në Kosovë dhe kjo shkakton probleme të mëdha në krijimin e një infrastrukture më të qëndrueshme ekonomike, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të Odës Ekonomike.


Ata thonë se asnjë ligj, i cili mund të ndryshojë në favor të ekonomisë kosovare, nuk mund të miratohet apo zbatohet pa pëlqimin e mekanizmave politikë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thekson se politika e ka fjalën vendimtare për të gjitha çështjet ekonomike, si në miratimin dhe zbatimin e legjislacionit ekonomik, në krijimin e një ambienti më të favorshëm ekonomik, qoftë për bizneset ekzistuese si dhe për ngritjen e atraktivitetit për investitorët e huaj.

“Është masë evidente që në Kosovë është e pamundur të diskutohet për çështje ekonomike, e të mos marrin konotacion politik. Konotacioni politik ka impakte indirekte në aspektin intern dhe në atë ekstern”.

“Ajo që është indirekte në aspektin intern, është se politika aktuale kosovare, për hir të mbrojtjes për interesa të caktuara dhe ruajtjes së kontrollit mbi proceset ekonomike, lanson disa teza të natyrës politike. Ndërsa, nga aspekti ekstern është një implikim enorm i faktorit ndërkombëtar, qoftë i vendosur në Prishtinë, qoftë në instancat tjera”,
pohon Gërxhailu.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Safet Merovci, thotë se fatkeqësisht të gjitha vendet që janë duke kaluar në fazën e tranzicionit, në veçanti vendet e reja siç është Kosova, janë të ndikuara mjaft shumë nga politika në ekonomi.

“Të gjitha vendet e rajonit janë të ndikuara nga politika, në veçanti vendet siç është Serbia, që kanë qenë të ndikuara jo vetëm tash, por edhe në të kaluarën. Kur flasim për Kosovën dhe vendet e rajonit, politika është ajo që çdo herë ka ndikuar në ekonomi”,
thotë zoti Merovci.

Megjithatë, ai vlerëson se nuk do të ishte negative sikur politika të kishte program të definuar qartë të ekonomisë dhe që do të mund të bënte përmirësime të dukshme në zhvillimin ekonomik.

Gjithashtu, zoti Merovci pohon se struktura ekonomike e Kosovës, e varur nga Serbia, ndikon drejtpërdrejt që edhe inflacioni i Serbisë të reflektohet në Kosovë.

Sa i përket marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, që po paraqesin një problem mjaft të madh në zhvillimin ekonomik si në Kosovë, ashtu edhe në rajon, eksperti për çështje ekonomike, zoti Gërxhaliu, thotë:

“Çmimin më të shtrenjtë në të gjitha këto procese e paguan Kosova. Serbia ka arritur përfitime enorme në këmbimin tregtar, Kroacia gjithashtu; i vetmi vend që është në geto, është Kosova. Derisa të gjithë së bashku nuk do të jemi të orientuar ta analizojmë realitetin kosovar dhe po ashtu të presim që të tjerët t’i zgjidhin problemet tona, do të humbim shumë”, shprehet zoti Gërxhaliu.

Gërxhaliu thotë se Serbia nuk ka nevojë të brengoset për çështje politike, përderisa nga ana e kosovarëve, për shkak të, siç thotë ai, nepotizmit dhe joprofesionalizmit, nuk ka gatishmëri dhe vizon të qartë që të bëhet një presion në politikën serbe, që interesin e tyre ekonomik ta shndërrojnë në inspirim për pranim të realitetit të ri të krijuar në Kosovë.

Ndërsa, profesor Merovci thotë se refleksionet e marrëdhënieve Serbi - Kosovë po ndikojnë edhe në rajon, mirëpo, sipas tij, pasi që Kosova nga potenciali ekonomik është shumë më e vogël, është pozicioni i Serbisë ai që e kushtëzon zhvillimin rajonal ekonomik.

“Ndikimi i Beogradit ka qenë i jashtëzakonshëm në Kosovë, sigurisht edhe me pëlqimin e palës shqiptare, e cila interesin shtetëror e ka adaptuar me interesin privat. Dhe, kuptohet se edhe interesat ekonomike kanë ndikuar, sepse e tërë tregtia e Kosovës është bërë me Serbinë dhe kjo është reflektuar nga politika”, deklaroi zoti Merovci.

Zhvillimi ekonomik në Kosovë mbetet një nga sfidat më të mëdha për autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG