Ndërlidhjet

A e shkeli kushtin Tadiqi?


Boris Tadiq në Manastirin e Deçanit, 17 prill '09.

Boris Tadiq në Manastirin e Deçanit, 17 prill '09.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se do të analizojnë vizitën dhe deklaratën e presidentit Boris Tadiq, për të parë nëse ka shkelur kushtin e hyrjes në Kosovë, që të mos japë mesazhe politike.



Vizita e presidentit serb, Boris Tadiq, në Kosovë ka ngjallur reagime të ndryshme, derisa deklarata e tij, dhënë në Manastirin e Deçanit, është interpretuar edhe si shkelje e kushtit për t’u përmbajtur nga mesazhet politike.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me të ardhur nga Sllovenia, ka thënë se institucionet e Kosovës ia kanë lejuar vizitën në Kosovë presidentit serb, Boris Tadiq. Ai e ka quajtur të rëndësishëm faktin që Tadiq ka kërkuar leje për të ardhur në Kosovë nga mekanizmat e BE-së, e jo nga UNMIK-u.

“Unë nuk kam deficit patriotik në jetën time. Vendimet i marr në përputhshmëri me interesat e shtetit dhe së ardhmes euro-atlantike, nuk marr vendime duke u bazuar në kalkulime të çastit dhe personale, apo të interesit të ngushtë, por vendimet i marr në përputhshmëri me realitetin, me Kushtetutën”, ka thënë Thaçi.

Thaçi, në letrën që i kishte dërguar përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Pieter Feith, nga i cili ishte kërkuar lejimi i vizitës, kishte potencuar se vizita duhet të jetë e karakterit privat dhe fetar, dhe nëse bëhen deklarime politike nga Tadiq, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen.

Zyrtarë të Qeverisë më herët nuk kanë sqaruar nëse Tadiq ka shkelur kushtin e dhënë. Ata i kanë bërë me dije Radios Evropa e Lirë se “në ekzekutiv do ta analizojnë tërë vizitën, duke përfshirë edhe deklaratën, dhe karshi kësaj analize, do të vendosin në të ardhmen”.

Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, përmes një komunikate për media, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës që të lejojë vizitën e Tadiqit në Kosovë me rastin e Pashkëve Ortodokse.
Ishte një vendim i drejtë. Ky ishte vendim i një shteti sovran, i marrë në frymën e Planit të Ahtisaarit...

“Ishte një vendim i drejtë. Ky ishte vendim i një shteti sovran, i marrë në frymën e Planit të Ahtisaarit dhe në interes të marrëdhënieve fqinjësore”, thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane.

I së njëjtës frymë ka qenë edhe qëndrimi i partnerit qeverisës – Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka vlerësuar lart vendimin e Qeverisë.

“Unë nuk jam kundër këtij vendimi, sepse është një zemërgjerësi dhe një tolerancë edhe më e madhe e shtetit të Kosovës, që ka mirëkuptim edhe për vizita të tilla. Kjo nuk e cenon fare e as nuk lëndon autoritetin e institucioneve të Kosovës”,
tha Kryeziu.

Por, tone kritike kanë pasuar nga opozita. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka kritikuar institucionet për, siç ka thënë, mungesë sinqeriteti karshi qytetarëve të Kosovës.
Presidentët dhe kryeministrat nuk kanë vizita private kurrë, gjithmonë janë zyrtare. Kosova është fyer me këtë vizitë...

“Mendoj se Qeveria e Kosovës është një ndër qeveritë e rralla, për të mos thënë e vetmja në botë, që i konsideron vizita private ato të presidentëve. Presidentët dhe kryeministrat nuk kanë vizita private kurrë, gjithmonë janë zyrtare. Kosova është fyer me këtë vizitë dhe institucionet e Kosovës edhe një herë kanë manipuluar me opinionin publik”, u shpreh Gjini.

Ndërkohë, Eqrem Kryeziu ka mbrojtur qëndrimin e Qeverisë se vizita kishte karakter privat dhe religjioz. Ndërsa, deklaratën e Tadiqit e ka konsideruar të parëndësishme.

“Unë nuk brengosem për mesazhet politike që i ka dërguar presidenti i Serbisë - është çështje e përmbajtjes dhe kulturës së tij. Nëse ka shpërdoruar ai rastin, është shpërdorim i tij; mund edhe kjo të rregullohet me ndonjë notë, apo diçka të ngjashme. Por, kryesorja, besoj se Kosova ka bërë shumë mirë që nuk ka reaguar në persekutimin e fjalës së lirë, qoftë ajo edhe e një presidenti të një vendi”, tha Kryeziu.

Por, Gjini insiston se opinioni kosovar është manipuluar nga institucionet.

“Institucionet tona, kryeministri, presidenti, të gjithë njerëzit që pretendojnë se janë mbrojtës të institucioneve, esencialisht po manipulojnë me opinionin publik”, tha Gjini.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, duke kritikuar vendimin e Qeverisë, ka thënë se presidenti serb, Tadiq, ka shpërfillur edhe procedurat, edhe institucionet e Kosovës.

“Krerë institucionalë të Kosovës ishin zotuar tash e sa herë se vizitat e krerëve institucionalë e politikë të Serbisë do të bëhen vetëm në pajtim me procedurat institucionale të tyre. Por, Tadiqi ua shpërfilli haptazi edhe procedurat, edhe institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e "Vetëvendosjes".

Qeveria e Kosovës ka ndaluar disa herë zyrtarët serbë që të hyjnë në Kosovë, meqë ata kërkonin leje nga UNMIK-u dhe jo nga autoritetet e Kosovës.

Edhe për vizitën e Tadiqit, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, kishte deklaruar se nuk do të lejohej, por deklaratë kjo e hedhur poshtë me vendim të kryeministrit Thaçi.

Kësaj radhe, Tadiq, ndryshe nga herët e kaluara, nuk ka kërkuar leje nga UNMIK-u, por nga përfaqësuesi i BE-së, Pieter Feith. Ai, nga kufiri mes Serbisë dhe Kosovës, është sjellë me helikopter të KFOR-it në Manastirin e Deçanit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG