Ndërlidhjet

logo-print

“E vërteta për Tadiqin”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Përballja e Kosovës me Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është bërë temë bosht e gazetave kosovare. Në këtë temë është edhe kryeartikulli i sotëm i “Kohës Ditore” me titullin “Mbrohen historia dhe ligjshmëria e pavarësisë”, në të cilin jepen argumentet që janë në anën e Kosovës.

Parimi i vetëvendosjes zhdëmtuese, uti posidetis, apo zotëruesi i territorit në fund të konfliktit, mungesa e dokumenteve që Kosova ka qenë pjesë legale e Serbisë dhe përparësia e anës historike në anën e Kosovës, shihen si anët e forta të Kosovës para GJND-së nga ekspertet e së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të historisë: Marc Weller, Florian Bieber, Noel Malcolm e Enver Hasani.

Tutje, gazeta shkruan se ky ekip mendon se argumentet e lartpërmendura janë ndër më të rëndësishmet, që do të mund të shfrytëzohen nga GJND-ja, para se kjo e fundit të japë opinionin këshillëdhënës për ligjshmërinë e pavarësisë.

Duke mbetur te e njëjta temë, e përditshmja “Zëri” citon ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ta ketë cilësuar procesin në GJND si proces të shekullit. Ai, sipas “Zërit”, ka bërë të ditur se disa nga vendet më me ndikim në botë, në krye me Rusinë, Kinën dhe Brazilin, i kanë paraqitur deklaratë GJND-së në Hagë, ku kanë përkrahur qëndrimin e Serbisë.

Pas debatit të gjatë dhe interpretimeve të ndryshme në lidhje me vizitën e presidentit serb, Boris Tadiq, në Kosovë, e përditshmja “Express” sjell një shkrim, ku mëton të japë të vërtetën në lidhje me këtë vizitë.

Kjo gazetë njofton se Boris Tadiq ka informuar përfaqësuesin e BE-së së do të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe ka kërkuar asistencë për të siguruar, siç thuhet, suksesin e vizitës. Por, pa kërkuar leje nga autoritetet e Kosovës që të hyjë në vend. Tutje, gazeta shkruan se ICO nuk ishte fare e përfshirë.

Ndërsa, BE-ja, sipas “Express”, i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës vendim, i cili kishte qenë pozitiv vetëm pas presionit diplomatik. Ekzekutivi, shkruan “Express”, nuk mund të mohojë se vizita është shkelje e Kushtetutës, ndërsa, në këtë dramë triditëshe, presidenti Fatmir Sejdiu zgjodhi heshtjen e plotë.

Zgjedhjet kanë nisur të jenë gjithnjë e më shumë në fokus të shtypit kosovar. E përditshmja “Lajm” shkruan se vonesa e caktimit të datës së zgjedhjeve lokale e ka shqetësuar opozitën, e cila vlerëson se procesi është në rrezik. Opozita, sipas “Lajm”, i ka kërkuar presidentit Sejdiu që të mos zvarrisë procesin e konsultimeve dhe marrjen e vendimit për datën e zgjedhjeve.

Ndërsa, “Kosova sot” citon zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi të ketë thënë se zgjedhjet do të mbahen sivjet dhe do të jenë të lira dhe të ndershme.

Duke mbetur te kjo temë, kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Zait Xhemajli, në një intervistë që i ka dhënë “Epokës së re”, ka hedhur poshtë pohimet e politizimit të KQZ-së, organ ky që menaxhon procesin e zgjedhjeve. Ai citohet te ketë thënë se KQZ-ja nuk bën politikë, është organ profesional dhe atë s’e kontrollon as PDK-ja e as LDK-ja.
XS
SM
MD
LG