Ndërlidhjet

FSK fillon operacionet në shtator (?)


Pjesëtarë të FSK-së
Pjesëtarë të FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës, në shtator të këtij viti, mund të nisë së vepruari me kapacitete të pjesshme operative. Viti i ardhshëm shihet si cak për t’u bërë plotësisht operative.



Në fund të këtij muaji do të përfundojë cikli i trajnimit për oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkohë që kjo forcë edhe më tej pranon rekrutë të rinj. Zëdhënësi i Forcës së Sigurisë, Enver Dugolli, njofton për fazën aktuale të ngritjes së kësaj force.

“Duhet theksuar se tani janë përgatitjet, apo përfundimi i seleksionimit të pjesëtareve të rinj, që besoj se do të inkuadrohen shpejt në FSK. Ky proces ka kaluar shumë me sukses në Ferizaj, ku për një numër 300-400 ka pasur deri në 5000 aplikantë, kryesisht të rinj të shkolluar në profile të ndryshme”, tha Dugolli.

Janë ekspertët e NATO-s ata që kanë marrë përsipër ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Aktualisht, duke u trajnuar janë mbi 1400 ish-pjesëtarë të TMK-së, që janë zgjedhur për të qenë pjesë e FSK-së. Trajnimi bëhet në faza në qendrën e trajnimeve në Vushtrri.

Dugolli thotë se në muajin qershor do të bëhen funksionalë disa sektorë të kësaj force, ndërkaq shtatori pritet të jetë më frytdhënës.

“Faza e parë operacionale e FSK-së do të jetë kah shtatori, pasi që atëherë parashihet edhe trajnimi i pjesëtarëve të rinj nga jeta civile, dhe aty është paraparë që të jetë faza e parë operacionale. Por, kjo do të vazhdojë gjatë gjithë vitit, kështu që mendohet se tërësisht operacionale FSK do të jetë vitin e ardhshëm”, u shpreh Dugolli.

Forca e Sigurisë së Kosovës parashihet që të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë. Me të përzgjedhurit e deritashëm, numri shkon në rreth 2 mijë. Enver Dugolli thotë se ende nuk dihet nëse të rinj të tjerë do të rekrutohen përmes ndonjë konkursi të ri.

“Këtu do të merret ndonjë vendim, pasi që nga 5 mijë aplikantë që kanë konkurruar për të lidhur një kontratë me FSK-në, nga ta janë seleksionuar 300 deri në 400. Por, sipas të dhënave që kemi, aty ka kualitet të mjaftueshëm për të vazhduar me një vendim tjetër, që t’u jepet mundësia atyre që kanë mbetur. Por, ende nuk ka një vendim nëse do të hapet konkurs i ri, ose do të thirren ata që kanë qenë të mirë, por që për shkak të numrit të limituar nuk kanë mundur të inkuadrohen”, tha Dugolli.

Ndryshe, eksperti për çështje ushtarake, Ramë Arifaj, thotë se transformimi i TMK-së ka krijuar parakushte të mira për krijimin e një force mbrojtëse. Por, ai mendon se FSK-ja po kufizohet nga shumë faktorë për të qenë një forcë e mirëfilltë mbrojtëse.

“Së pari, po e shohim që po varet nga faktori ndërkombëtar, i cili e ka limituar, ashtu të themi, shtrirjen e plotë të saj; nuk është duke i krijuar hapësirë të nevojshme, që ajo menjëherë... ndoshta për arsye të ndryshme, ndoshta që KFOR-i ende është në Kosovë dhe ai është përgjegjës për sigurinë e Kosovës”.

“Por, megjithatë, unë besoj se NATO-ja do të japë kontributin e saj që në një të ardhme të afërt edhe FSK të jetë e gatshme t’u përgjigjet detyrave dhe sfidave të reja”, pohon Arifaj, i cili është anëtar i Klubit të sapoformuar Euro-Atlantik të Kosovës, i cili mëton të ndihmojë procesin e integrimit të Kosovës në NATO.

FSK-së fillimisht do t’i lejohet që të mbajë armë të lehta, ndërsa mision i saj është që të marrë pjesë në operacione për reagim ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile në Kosovë dhe t'i ndihmojë autoritetet civile, duke reaguar gjatë katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.
XS
SM
MD
LG