Ndërlidhjet

Kontrabanda në veri bie për 80 %


Pika kufitare në Jarinë
Pika kufitare në Jarinë

Veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës kanë rezultuar me rënien e nivelit të kontrabandës në veri deri në 80 %, u tha pas një takimi të kryeministrit të Kosovës me drejtuesit e doganave dhe policisë.


Institucionet e Kosovës planifikojnë ndërmarrjen e disa masave, me qëllim të luftimit të kontrabandës, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Luftimi i këtyre dukurive negative ishte temë qendrore e një takimi të zhvilluar sot ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe udhëheqësve të policisë dhe doganave të Kosovës.

Një përqendrim i shtuar në luftimin e kontrabandës dhe krimit u tha se ka të bëjë me pikat 1 dhe 31 në veri të Kosovës në kufi me Serbinë. Që nga 19 shkurti i vitit 2008, këto pika doganore janë jashtë sistemit, pasi që ato ishin djegur nga serbët e revoltuar.

EULEX-i ka arritur që të dërgojë atje doganierë, por të cilët kryejnë vetëm regjistrimin e kalimeve dhe nuk bëjnë doganimin e mallrave. Kryeministri Thaçi, megjithatë, tha se ishte shumë optimist se atje shpejt do të kthehen edhe Doganat e Kosovës.

Sipas kryeministrit, disa masa shtesë që janë ndërmarrë atje, kanë bërë që niveli i kontrabandës, që i shkaktonte humbje buxhetit për miliona euro, të ulet dukshëm krahasuar me vitin e kaluar.

“Ende nuk ka ndodhur eliminimi i kontrabandës në veri, por kemi zvogëlimin në gjashtëmujorin e fundit për 80 për qind. Andaj, ky është progres. Kjo betejë vazhdon dhe do të jemi të pakompromis deri në fund, deri në vënien e ligjshmërisë së plotë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Tash për tash kemi autoritetin e EULEX-it me mbështetjen e autoriteteve kosovare, prezente në nivel të vëzhgimit dhe regjistrimit të njerëzve e mallrave, kurse shpejt do të fillojë edhe doganimi”, tha Thaçi.

Kohët e fundit, kishte një tendencë që kontrabanda të kalohet nga një pikë doganore në tjetrën, tha në anën tjetër drejtori i doganave të Kosovës, Naim Huruglica. Ai tha se këto tendenca po luftohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Doganat, shtoi Huruglica, mbeten një prej burimeve kryesore të mbushjes së buxhetit, andaj përqendrimi në këto pika, sipas tij, është me interes për gjithë Kosovën.
Kohët e fundit, kishim tendencë që kontrabanda të lëvizë edhe në pikat tjera kufitare, por kemi marrë mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe kemi një bashkëpunim të shkëlqyer.

“Prej pas-shpalljes së pavarësisë dhe djegies së dy pikave kufitare, ne u ballafaquam me një problem shumë të madh të rritjes së kontrabandës në veri. Në muajt e kaluar kemi arritur që ta ulim atë nivel të kontrabandës, ku shihet një rënie prej gati 80 për qind. Kemi arritur që të vëmë kontroll në atë pjesë të kufirit. Kohët e fundit, kishim tendencë që kontrabanda të lëvizë edhe në pikat tjera kufitare, por kemi marrë mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe kemi një bashkëpunim të shkëlqyer”, theksoi Huruglica.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, tha se në kuadër të luftimit të kontrabandës, krimit dhe korrupsionit, nuk do të kursehet askush. Ai tha se nuk bëhet fjalë vetëm për problemet në veri të Kosovës, pasi që dukuri të tilla janë evidente edhe në pjesët tjera të Kosovës.
Angazhimet tona nuk do t’i përqendrojmë vetëm në pjesën veriore. Tash e gjithnjë do të zhvendosemi edhe në pjesën perëndimore, atë lindore...

“Ne kemi krijuar një grup të veçantë për ta luftuar kontrabandimin në pjesën veriore të vendit. Deri më tash kemi disa kallëzime penale që i kemi bërë. Kemi arrestuar edhe një grup në kontrabandim; si rezultat ka rënë numri i kontrabandimeve, por kemi edhe kallëzime penale të ngritura edhe ndaj policëve të vendit. Por, padyshim, angazhimet tona nuk do t’i përqendrojmë vetëm në pjesën veriore. Tash e gjithnjë do të zhvendosemi edhe në pjesën perëndimore, atë lindore në kufi me Serbinë, sepse angazhime të tilla janë të nevojshme”, tha Ahmeti.

Në kuadër të zbatimit të standardeve dhe kritereve demokratike, çfarë edhe kërkohet në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën, Qeveria pritet t’ia procedojë këtë javë Kuvendit edhe strategjinë e saj anti-korrupsion, ligjin anti-korrupsion dhe atë kundër shpëlarjes së parave.

Sidoqoftë, përgjegjësitë në fushat e policisë, gjykatave dhe doganave mbeten edhe në kompetencë të EULEX-it. Andaj, veprimet e institucioneve të Kosovës shpesh ndërlidhen edhe në kuadër të koordinimeve me këtë mision ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG