Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria ende nuk deklarohet qartë nëse Boris Tadiq ka shkelur procedurat gjatë vizitës në Kosovë. Nga zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Prishtinë thuhet se për çdo vizitë të zyrtarëve të Beogradit, bekimin e japin autoritetet e Kosovës.


Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës vlerësojnë se deklarimi publik i presidentit serb, Boris Tadiq, të premten e kaluar, në Kosovë, edhe pse në masë të madhe i përmbajtur, ka kaluar vijat e të qenit mesazh paqeje për Pashkët Ortodokse.

Fjalia, që ka ngjallur interpretime të ndryshme, ka qenë ajo kur Tadiq ka dërguar mesazhe paqeje për, siç ka thënë, “serbët, shqiptarët, për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë”.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i tha Radios Evropa e Lirë se deklarata e tij do të analizohet me kujdes.

“Ne do ta analizojmë me kujdes deklarimin e tij. Nuk mund të themi se nuk ka qenë i përmbajtur, por ka pasur edhe disa vija që i ka tejkaluar në përputhje me marrëveshjen me bashkësinë ndërkombëtare, por me kohë do ta shqyrtojmë dhe dalim me qëndrimin tonë”, pohoi Kuçi.

Vizita e Tadiqit në Kosovë është përcjellë me reagime nga më të ndryshmet.

Boris Tadiq në Manastirin e Deçanit, 17 prill '09.
Boris Tadiq, para vizitës në Kosovë, kishte njoftuar përfaqësuesin e BE-së në Beograd se do të vizitonte Manastirin e Deçanit, duke kërkuar siguri në lidhje me këtë. Për këtë vizitë, përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Pieter Feith, ka konsultuar kryeministrin, i cili kishte lejuar vizitën, me kusht që ajo të ishte e karakterit privat dhe fetar dhe të mos përmbante mesazhe politike.

Qeveria ende nuk është deklaruar nëse Tadiq shkeli këtë kusht dhe se çfarë hapash do të ndërmarrë në të ardhmen në lidhje me kërkesat e zyrtarëve serbë.

“Ne nuk marrim vendim gjeneral, do ta shqyrtojmë nga rasti në rast. Nëse qëllimi i vizitave ka karakter humanitar, nëse qëllimi i tyre ka karakter religjioz, atëherë edhe mund të shqyrtojmë. Nëse jep shenja se mund të keqpërdoret për propaganda politike, për qëllime të tjera, që janë në kundërshtim me rendin dhe ligjin në Kosovë, atëherë do të ketë ndalesë”, tha Hajredin Kuçi.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, autoritetet kosovare edhe mund t’i ndalojnë këto vizita. Një mundësi të tillë e pohon edhe zëdhënësja e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Julia Reuter, e cila thotë se BE-ja nuk mund as të lejojë e as të ndalojë hyrjen e zyrtarëve serbë. Përgjegjëse për këtë, sipas Reuter, është Qeveria e Kosovës.
U takon autoriteteve të Kosovës që të vendosin për kërkesat në përputhje me procedurat e tyre...

“U takon autoriteteve të Kosovës që të vendosin për kërkesat në përputhje me procedurat e tyre. Roli i përfaqësuesit special të BE-së është më tepër që të ofrojë këshilla dhe përkrahje për autoritetet e Kosovës, për të ndihmuar për të gjetur zgjidhje praktike për çështje praktike dhe të sigurohet se janë zgjidhur në rrugë pragmatike. Ata do të vlerësojnë secilën kërkesë”, pohon Reuter.

Juristi kosovar, Riza Smaka, duke analizuar të gjitha këto rrethana, mendon se autoritetet e Kosovës nuk është dashur të lejojnë hyrjen e presidentit serb, Boris Tadiq, në Kosovë, meqë ai është sjellë në kundërshtim me rendin dhe ligjin dhe ka cenuar Kushtetutën e Kosovës.
Z. Tadiq nuk iu ka adresuar kryetarit të Kosovës, homologut, me procedurën protokollare, diplomatike të mirënjohur, por në mënyrë indirekte, apriori e ka neglizhuar, e ka shpërfillur ekzistencën e shtetit...

“Z. Tadiq nuk iu ka adresuar kryetarit të Kosovës, homologut, me procedurën protokollare, diplomatike të mirënjohur, por në mënyrë indirekte, apriori e ka neglizhuar, e ka shpërfillur ekzistencën e shtetit. Më pastaj, përfundimi ishte në kolizion me rendin politik të Kosovës, aq më parë kur ai nuk ka mundur të zhveshë petkun pushtetar, por ka ardhur si kryetar i një shteti, që ditë e natë punon dhe deklaron të pavërteta e insinuata kundër Kosovës”, u shpreh Smaka.

Por, për zëvendëskryeministrin Kuçi, raportet e Kosovës me Serbinë janë ndryshe nga raportet shtet më shtet, që përcakton Kushtetuta e Kosovës. Rrjedhimisht, kërkesa për vizitë mund t’u bëhet mekanizmave ndërkombëtarë.

Hajredin Kuçi
“Raportet Kosovë-Serbi janë pak më ndryshe se raportet mes dy vendeve. E dyta çfarë dua të them, është se ai iu ka drejtuar përfaqësuesit të BE-së. Sidoqoftë, raporti mes Kosovës e Serbisë është specifik dhe jo si me vendet tjera që kanë njohur Kosovën dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike”,
tha Kuçi.



Ndërkohë që Qeveria nuk ka ndonjë qëndrim të qartë mbi çështjen Tadiq, Riza Smaka mendon se autoritetet e Kosovës do të duhej të reagonin në adresë të shtetit serb, për shkak të cenimit të Kushtetutës.

“Kur cenohet Kushtetuta, është atak direkt në shtet. Në rastin konkret ishte dashur që autoritetet shtetërore, kompetente, kosovare, të bëjnë demarsh, të shprehin indinjatë me gjestin e kryetarit Tadiq, i cili hyri në Kosovë, deklaroi në kolizion me rendin juridik të Kosovës dhe ishte dashur që më së paku ta eksploatojnë këtë situatë, sepse ndryshe do të krijohej një precedencë që do të ishte shumë e papërshtatshme edhe për aspektet tjera, jo vetëm për një cenim të Kushtetutës”, thotë Smaka.

Ndërkohë, ndryshe nga herët e kaluara, zyrtarët serbë, në vend të UNMIK-ut, kanë njoftuar përfaqësuesin e BE-së në lidhje me vizitat në Kosovë.

Para Tadiqit, autoritetet kosovare kishin ndaluar disa herë hyrjen e disa qeveritarëve serbë në Kosovë, të cilët tentonin të vizitonin enklavat serbe apo veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG