Ndërlidhjet

Pasojat e moszbatimit të Kushtetutës në veri


Ura qendrore në Mitrovicë

Ura qendrore në Mitrovicë

Përfaqësues të opozitës si dhe ekspertë për çështje kushtetuese në Kosovë shfaqin drojën se moszbatimi i Kushtetutës së Kosovës në të gjithë territorin e saj, pamundëson funksionimin e Kosovës si shtet.


Kritikat e opozitës kosovare në lidhje me moszbatimin e Kushtetutës së Kosovës nga institucionet shtetërore vazhdojnë edhe një vit pas aprovimit të këtij dokumenti në Kuvendin e Kosovës - akt ky i cili ndodhi në muajin prill të vitit 2008.

Këto kritika ishin intensifikuar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga strukturat e partive opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, sidomos kur bëhej fjalë për ushtrimin e pushtetit në veri të vendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulzim Zeneli, thotë se problemi që lidhet me moszbatimin e Kushtetutës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është një problem i vjetër, siç e quan ai, duke theksuar se institucionet kosovare nuk kanë përmirësuar asgjë në këtë drejtim.

Ai thekson se territori i Kosovës mbetet i pakontrolluar për shkak të mosrespektimit të Kushtetutës në pjesën veriore të vendit.

“Mosshtrirja e autoritetit kushtetues dhe mosprezenca e institucioneve të Kosovës, duke toleruar strukturat paralele dhe forma të tjera të organizimit paralel, drejtpërdrejt lidhen me sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Prandaj, LDD gjithmonë e ka adresuar si një brengë që institucionet e Kosovës janë duke e neglizhuar dhe duke u treguar të paafta për të implementuar Kushtetutën”, vlerësoi Zeneli.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkohë, ishin zotuar se ekzekutivi kosovar po shtrin autoritetin e vet në të gjithë territorin e vendit dhe se, siç ishin shprehur ata, edhe në pjesën veriore janë bërë investime të shumta në projekte të caktuara.

Çështjen e mbështetjes financiare nga pushteti qendror e konfirmon dhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Ismail Smakiqi, i cili thotë se Qeveria ka ndihmuar dhe në kthimin e banorëve në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Sidoqoftë, funksionimi i Komunës së Mitrovicës si tërësi pamundësohet, sipas tij, nga kundërshtimi i banorëve serbë të veriut.

“Është një problem politik, sepse ka një ndikim nga strukturat e Beogradit dhe strukturat paralele, të cilat mbajnë peng dhe shumë qytetarë serbë që kanë vullnetin të kthehen në pjesë të tjera të Kosovës dhe të pranojnë fqinjët e tyre. Mirëpo, ata kërcënohen nga strukturat paralele - gjegjësisht nga disa struktura të MUP-it dhe të tjera”,
tha Smakiqi.

Angazhimet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, sipas përfaqësuesit të LDD-së, Lulzim Zeneli, janë improvizuese dhe, siç shprehet ai, nuk sjellin rezultate afatgjate në drejtim të shtrirjes së autoritetit dhe zbatimit të Kushtetutës në atë pjesë.

“Kjo është një politikë improvizuese dhe kjo bëhet për qëllim të konsumit të brendshëm, sesa që mund të sjellë rezultat konkret në terren. Ky kurs politik, të cilin po e adreson Qeveria e Kosovës, është parë që nuk sjell rezultat”,
u shpreh Zeneli.

Mungesa e zbatimit të Kushtetutës së Kosovës në të gjithë territorin e vendit duket se pamundëson funksionimin e Kosovës si shtet. Kështu të paktën vlerëson eksperti për çështje kushtetuese, Ismet Salihu, i cili tërheq vëmendjen se kjo gjë mund të përdoret nga Beogradi zyrtar dhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën për të vënë në pikëpyetje shtetësinë e vendit.

“Kjo mund të përdoret prej pushtetit të Serbisë dhe prej disa shteteve, të cilat janë aleate të Serbisë, për shkak se kontestimi i ekzistimit të një shteti apo një pjese të atij shteti argumentohet me faktin që nuk është duke administruar dhe shtrirë pushtetin e vet në tërë territorin e Kosovës”, vlerësoi Salihu.

Integriteti territorial i Kosovës përmendet në Nenin 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Vështirësitë në zbatimin e këtij dokumenti në tërë territorin e Kosovës janë pranuar dhe nga përfaqësues të ndryshëm të skenës politike udhëheqëse të vendit.
XS
SM
MD
LG