Ndërlidhjet

Ahmadinejad e quan Izraelin 'racist'


Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinejad e akuzuar Izraelin se është "racist", duke nxitur kështu largimin e diplomatëve perëndimorë nga konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi racizmin.

Në fjalimin e tij në Gjenevë, Ahmadinejad e drejtoi gishtin kah Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Izraeli.

"Pas Luftës së dytë Botërore, duke u justifikuar se Hebrenjtë ishin viktimizuar dhe abuzuar gjatë Hollokaustit, ata bënë që një popull i pastrehë, të cilin e transferuan nga Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet tjera, të krijojë qeverinë raciste në territoret e pushtuara palestineze", tha Ahmadinejad.

Një protestues, duke bërtitur "racist, racist", hodhi në drejtim të Ahmadinejadit një objekt të butë, i cili ra në podium dhe e ndërpreu fjalimin.

Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Gjermania, Izraeli, Holanda dhe Zelanda e Re e kanë bojkotuar takimin një javor.

Për shkak të pjesëmarrjes së presidentit të Iranit, Izraeli e ka tërhequr ambasadorin e vet nga Zvicra.

Konferenca në Gjenevë është vazhdim i samitit në Afrikën e Jugut të vitit 2001, të cilën SHBA-të dhe Izraeli e braktisën sepse shtetet arabe u përpoqën ta definojnë cionizmin si racist.
XS
SM
MD
LG