Ndërlidhjet

Të drejtat e të burgosurve në Kosovë janë në përputhje me të drejtat e të burgosurve në rajon, por janë në shpërputhje me standardet ndërkombëtare. Kështu vlerësojnë njohës të të drejtave të njeriut në Kosovë.


Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Bexhet Shala, pohon se ka ndryshime pozitive, por ende duhen përmirësime. Sipas tij, mungesa e higjienës dhe mungesa e përkujdesjes shëndetësore janë disa fakte që tregojnë për shkelje të të drejtave të të burgosurve

“Të drejtat e të privuarve nga liria në Kosovë janë në përputhje me të drejtat, të cilat i gëzojnë vendet në rajon - e kam fjalën për pjesë të Evropës. Ndërkaq, janë në shpërputhje me standardet ndërkombëtare. Mirëpo, janë disa drejtime ku shkelen të drejtat e të burgosurve - në radhë të parë te përkujdesja shëndetësore, ngase në objektet ku janë të burgosurit, tash nuk kanë mundësi të ofrohen shërbimet mjekësore dhe në shumë raste të burgosurit detyrohen të kërkojnë ndihmë jashtë objektit të të burgosurve”, thotë Shala.

Por, Resmi Hoxha, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, konsideron se në të gjitha burgjet e Kosovës, të burgosurit dhe të paraburgosurit gëzojnë të drejtat e tyre sipas kritereve të parapara me ligj.

“Në përputhje me rregullat ndërkombëtare, por edhe me ligjet në Kosovë dhe me rregullat e brendshme institucionale që ekzistojnë në shërbimet korrektuese, mund të themi lirshëm dhe me plot bindje se respektohen të gjitha të drejtat e të burgosurve, edhe të miturve dhe femrave”, u shpreh Hoxha.

Kohë më parë, në një raport të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës është konstatuar se në burgjet e Kosovës nuk respektohen sa duhet të drejtat e të burgosurve. Madje, në atë raport është theksuar se në qendrat e burgjeve të Kosovës ushtrohet dhe dhunë.

Zoti Shala, nga KMDLNJ-ja, pohon se edhe sot, në disa qendra të paraburgimit dhuna është e pranishme.

“Ka dhunë, por nuk është gjithëpërfshirëse. Kjo më tepër është sporadike. Ka dhunë ku ka tejkalime të autorizimeve zyrtare, ose, me një fjalë, përdorimi i forcës së tepërt. Kjo ndodh edhe në qendrën korrektuese në Lipjan, ku janë të miturit, ku është një kategori jashtëzakonisht e ndjeshme, mirëpo edhe në shërbimin korrektues në Dubravë”, thotë Shala.

Zoti Shala gjithashtu thotë se një nga çështjet që garantohet me të drejta ndërkombëtare, është që të burgosurve t’u mundësohet e drejta për punë brenda burgjeve, gjë që, sipas tij, ndodh shumë pak në Kosovë.

“E drejta për punë është e garantuar për të gjithë të burgosurit në të gjitha vendet e botës dhe ajo është mënyra më e mirë për risistemimin e të burgosurve. Kjo te ne zbatohet shumë pak, ngase nuk ka kapacitete, të cilat do të mund të ofronin vende të punës për të burgosurit”, deklaroi Shala.

Drejtori i Shërbimit Korrektues, Resmi Hoxha, kundërshton deklaratat se të burgosurit privohen nga e drejta e shkollimit dhe e punës.

“Ju e dini mirë se në Dubravë ekzistojnë tri qendra të aftësimit profesional me nga tri profesione. Po ashtu, ekziston edhe shkolla fillore, shkolla e mesme funksionale. Gjithashtu ekziston edhe kabineti për kompjuterë. Dhe, në këtë drejtim jemi munduar që t’i plotësojmë të gjitha kriteret”, tha Hoxha.

Ministria e Drejtësisë që mbikëqyr burgjet në Kosovë, sipas KMDLNJ-së, duhet të hartojë politika të atilla që janë në përputhje me standardet e BE-së.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG