Ndërlidhjet

logo-print

"Kermabon: EULEX - pjesë e gjashtëpikëshit"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Njohja e Kosovës nga Arabia Saudite është në fokus të shtypit të sotëm kosovar. E përditshmja “Zëri” vlerëson se kjo njohje është ngjarja më e rëndësishme diplomatike në gjashtë muajt e fundit.

“Njohja e Kosovës prej Arabisë Saudite vjen tri ditë pasi që ka nisur procesi në Hagë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe mbase nuk ka pasur moment më të mirë, që Kosova të fitojë këtë pranim, i cili pritet të pasohet edhe me disa të tjerë prej shteteve fqinje të Arabisë Saudite, ndoshta edhe prej shteteve tjera arabe”, vlerëson “Zëri”.

Tutje, kjo gazetë shkruan se njohja e Arabisë Saudite është kualitet në vete, që është mbërritur pas përpjekjeve të jashtëzakonshme për të bindur këtë shtet me ndikim të madh në rajon dhe më gjerë, që duhet mirëpritur pavarësinë e Kosovës.

Me Arabinë Saudite, shkruan “Zëri”, në OKB bëhen 9 shtete që kanë pranuar pavarësinë edhe pas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për aktivizimin e mekanizmit të GJND-së.

Ndërsa, “Express” shkruan se gjiganti arab, Arabia Saudite, me njohjen e Kosovës ka dhënë mesazh të fortë te shtetet tjera me dominim mysliman. Një ditë më parë, shkruan “Express”, mbreti saudit kishte pritur emisarin e posaçëm të Shteteve te Bashkuara për Lindjen e Mesme, George Mitchell, duke shtuar se emisarët amerikanë dhe ata britanikë kanë lobuar në vazhdimësi për njohjen e Kosovës te aleatët e tyre.

“Kosova sot”, ndërkaq, vlerëson se njohja nga Arabia Saudite është një zhvillim pozitiv, që vjen si me porosi menjëherë pas dorëzimit të deklaratës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ky sihariq nga Riadi është një sinjal i fortë për njohjet e mëtejshme që mund të vijnë nga vendet e botës arabe, shkruan kjo gazetë.

Për planin gjashtëpikësh të OKB-së, të cilin Prishtina e konsideron të vdekur, nuk mendojnë njëjtë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë. “Koha Ditore” sjell një intervistë të huajësuar nga mediat serbe të shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon, ku citohet të ketë thënë se EULEX-i është pjesë e planit gjashtëpikësh.

“Ai rikonfigurim do të thotë edhe implementim i misionit tonë dhe ne tashmë punojmë në këtë”, citohet të ketë thënë Kermabon.

Tutje, në këtë intervistë, Kermabon ka bërë të ditur se ky plan, megjithatë, nuk është në kompetencë të tij, sepse bëhet fjalë për një marrëveshje mes Serbisë dhe OKB-së, por që në kuadër të implementimit të saj merr pjesë edhe EULEX-i.

Kermabon citohet të ketë thënë se misioni i tij është duke biseduar me Qeverinë e Serbisë për sundimin e ligjit, ndërsa i pyetur në lidhje me bisedimet për kthimin e policëve serbë në kuadër të policisë, ka thënë se ai vetë, por edhe Solana, e kanë diskutuar këtë çështje me ministrin e Brendshëm serb, Ivica Daçiq.

E përditshmja “Lajm” në ballinën e saj ka një temë që ka të bëjë me manifestimet për dëshmorët e rënë në luftë. Nën titullin “Përvetësohen heronjtë”, kjo gazetë shkruan se institucionet e Republikës së Kosovës dhe disa parti politike organizojnë manifestime ndaras për dëshmorët.

Presidenca e udhëhequr nga LDK-ja dhe Qeveria nga PDK-ja edhe këtë vit manifestimet për ndër të dëshmorëve i ndanë, duke i ndarë kështu edhe ata që ranë për lirinë e Kosovës, shkruan “Lajm”.

Përvjetori i betejës se Gllogjanit po ashtu u organizua nga veteranët e UÇK-së, edhe pse në fokus kryesor ishte AAK-ja, shkruan gazeta. “Lajm” citon përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta të kenë kërkuar ligj të veçantë dhe t’i kenë kundërshtuar këto ndarje mbi baza partiake e lokale.
XS
SM
MD
LG