Ndërlidhjet

Obama mbështet CIA-n

  • Andrew Tully

Presidenti Barack Obama në selinë e CIA-s, 20 prill '09.

Presidenti Barack Obama në selinë e CIA-s, 20 prill '09.

Javën e kaluar, presidenti Barack Obama miratoi publikimin e memorandumeve të Qeverisë, të shkruara gjatë presidencës së George Bushit, që miratojnë përdorimin e teknikave të hetimit nga CIA, të cilat shumica i konsiderojnë si formë e torturës.



Zbulimi i këtyre memorandumeve sekrete ishte kundërshtuar nga disa punonjës të CIA-s, të cilët atë e panë si tradhti të përpjekjeve të tyre për të mbrojtur vendin.

Por, Obama vetë shkoi në selinë e CIA-s për t'i siguruar ata se Shtëpia e Bardhë e mbështet misionin e tyre. Punonjësit e CIA-s ishin të shqetësuar nga prania e presidentit të tyre, por nuk e shfaqën shqetësimin.

"Jam krenar t'ua prezantoj presidentin e Shteteve të Bashkuara", tha drejtori i CIA-s, Leon Panetta.

Obama shkoi në selinë e CIA-s, në Lengley të shtetit Virginia afër Uashingtonit, që t'ua shpjegojë personalisht se përse ka dalë në publik për një çështje aq të ndjeshme, siç është ajo e inteligjencës.

E para, tha ai, shumica e informatave tashmë janë bërë publike, qoftë nga mediat apo në mënyra të tjera. Ai tha se ka pasur fat që gjykatat nuk kanë kërkuar t'i shohin memorandumet.

Grupet Amerikane për të Drejtat Civile e kanë paditur Departamentin e Drejtësisë që t'i shohin dokumentet.

Megjithëse përmbajtja e memorandumeve mbetet e fshehtë, Obama tha se prapëseprapë do t'i ndalonte teknikat e simulimit të mbytjes me ujë dhe teknikat tjera agresive të hetimit, të cilat i konsideron si torturë.

Presidenti u tha punonjësve të CIA-s se sado qoftë e dhimbshme publikimi i dokumenteve, nga kjo kanë dalë edhe disa gjëra të mira.

"Mos u shkurajoni nga ajo që ndodhi në javët e kaluara. Mos e humbni kurajën nga ajo që pranuam se mund të kemi bërë disa gabime. Kështu mund të mësojmë. Por, fakti se ne duam t'i pranojmë ato dhe të ecim përpara, është mu ajo që më bën të jem krenar që jam president i Shteteve të Bashkuara, dhe prandaj ju duhet të jeni krenarë që jeni anëtarë të CIA-s", tha presidenti amerikan.

Çështja e disa metodave të CIA-s doli në fokus të opinionit kur ‘New York Times’ citoi një dokument të Departamentit të Drejtësisë, sipas të cilit, i dyshuari për terrorizëm, Khalid Sheikh Mohammed, 183 herë i ishte nënshtruar simulimit të mbytjes me ujë. Memorandumi thotë se Bu Zubaydah ishte trajtuar njësoj 83 herë.

A mund të jenë efektive metodat e tilla?

Simon Serfaty thotë po. Ai është specialist për çështjet e sigurisë ndërkombëtare në Institutin për Studime Strategjike në Uashington.

"Ishte e vështirë të menaxhoheshin vendimet që ishin marrë kur hetohej Mohammed. Nuk duhet harruar ndjenjën se pas 11 shtatorit, 2001, sulmet e tilla mund të përsëriteshin", thotë Serfaty.

Por, për Edward Atkeson, rezultatet nuk janë aq të rëndësishme sa është mënyra e drejtë e të vepruarit.

Atkeson, ish-gjeneral në pension, i tha Radios Evropa e Lirë se kur ka qenë oficer i inteligjencës, trajtimi i tillë nuk lejohej nga ushtria amerikane dhe nuk lejohet as sot.

"Për mua është thjesht diçka e huaj dhe si teknikë e zbulimit është e pafalshme. Numri nuk është me rëndësi, qoftë ai një apo 300. Është shumë e gabuar, sepse ka mënyra tjera profesionale. Unë personalisht kam ndaluar çdo lloj keqtrajtimi të të burgosurve", thotë Atkeson.

Ai gjithashtu shpreh kënaqësinë që administrata Obama i publikoi informatat rreth hetimeve të tilla.
XS
SM
MD
LG