Ndërlidhjet

Serbët të ndarë edhe rreth dialogut


Dialogu shqiptaro-serb është një tjetër çështje që ndan përfaqësuesit serbë të Kosovës. Disa mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga ICO, por ka dhe të tjerë që përjashtojnë çdo dialog me institucionet e Kosovës së pavarur.


Qëndrimet e serbëve të Kosovës për shumë zhvillime politike dallojnë varësisht se cilit subjekt politik i takojnë. Dialogu ndëretnik është një nga sferat që nuk i bashkon serbët.

Ka të tillë, kryesisht ata që jetojnë në Kosovën qendrore, që janë të gatshëm të bisedojnë me çdokënd, që përveç raporteve me shqiptarët, t’i përmirësojnë edhe kushtet e përditshme të jetesës.

Rangjel Nojkiq është politikan serb, i vendosur në Graçanicë. Ai pohon se tashmë ka marrë pjesë në disa takime të organizuara nga Zyra Civile Ndërkombëtare, zyrë kjo që nuk njihet nga Beogradi zyrtar e as nga një pjesë e serbëve, meqë ka për bazë Planin e Ahtisaarit.

“Mendoj se dialogu është diçka që sigurisht se do të përmirësojë shumë procese, do t’i ulë dallimet dhe do të zgjidhë konflikte. Është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet. Dialog ka. Mendoj se deri më tash janë mbajtur 4 takime; i pesti së shpejti do të caktohet dhe mendoj se një takim do të mbahet edhe nesër këtu në Graçanicë. Në këto takime kanë marrë pjesë edhe ata që janë në institucione, edhe ata që janë jashtë tyre dhe përfaqësojnë ndonjë subjekt politik”, thotë Rangjel Nojkiq.

Kështu nuk mendojnë përfaqësues tjerë të serbëve. Dragan Veliq, kryetar i Këshillit Nacional Serb, që duket se ka qëndrime të afërta me liderët e pjesës veriore të Kosovës, nuk mendon se është në interes të serbëve që të ulen në një tryezë me institucionet e Kosovës së pavarur.

“Është shumë me rëndësi që bashkësia serbe nuk i sheh interesat e veta në ndonjë dialog të ardhshëm. Sistemi i imponimit të zgjidhjeve apo akteve të kryera, duke thënë se shpallja e njëanshme është realitet, nuk mund t’i zgjidhë problemet, e lë jashtë dialogun, dhe komuniteti serb nuk mund, që në mënyrë masovike dhe cilësore, të hyjë në këtë proces”, tha Veliq.

Megjithatë, tone më optimiste jep Rangjel Nojkiq. Ai mendon se çelësi i bashkëpunimit serbo-shqiptar ka gjasa që më tepër të gjendet te ata që jetojnë në mjediset serbe në qendër të Kosovës, sesa në veri.

“Nëse ngrihen marrëdhëniet në pjesën qendrore të Kosovës, atëherë mendoj se kjo do të ndodhë edhe në veri. Përndryshe, edhe tash ka serbë nga veriu që marrin pjesë në këto bisedime, madje janë përfaqësues që kanë përkrahje të madhe të popullit, siç thonë ata në pjesën veriore. Ka forca, ka njerëz në veri, që janë të gatshëm për dialog dhe mendoj se do të ketë gjithnjë e më tepër”, pohon Nojkiq.

Dragan Veliq mendon se serbët nuk mund t’i jetësojnë projektet me interes nacional në një Kosovë të pavarur.

“Dialogu është i përjashtuar me vetë faktin që thuhet se realiteti (shpallja e pavarësisë) është i pakthyeshëm. Rrjedhimisht, pala serbe nuk sheh se mund ta realizojë ndonjë projekt. Kjo nuk nënkupton se komuniteti serb ik nga dialogu. Jo, në të kundërtën, pala serbe e dëshiron dialogun, por jo dialog të imponuar”, u shpreh Veliq, i cili mendon se ndihmë eventuale në këtë dialog do të mund të japë misioni i OKB-së në Kosovë.

Ndryshe, Projekti për Relacione Etnike, që ka mundësuar për vite me radhë dialogun shqiptaro-serb, ka thënë, kohë më parë, se raportet ndëretnike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, gjenden në një lloj paralize.
XS
SM
MD
LG