Ndërlidhjet

Prishtina pret intensifikim njohjesh


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Njohja e Kosovës nga Arabia Saudite, në Prishtinë vlerësohet se hap një kapitull të ri të raporteve të reja politike dhe ekonomike të Kosovës me vendet arabe. Liderët kosovarë besojnë se në të ardhmen e afërt do të ketë njohje të reja.


Procesi i njohjes së Kosovës së pavarur nuk do të ndalet, thonë udhëheqësit e institucioneve vendore. Duke iu referuar njohjes së fundit nga Arabia Saudite, presidenti dhe kryeministri i Kosovës thonë se presin që shembulli i këtij vendi të ndiqet edhe nga vendet tjera, qoftë ato arabe apo edhe vende tjera.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se njohja nga Riadi mund të konsiderohet si nxitje edhe për vendet tjera të Gjirit Arabik dhe Konferencës Islamike për njohje të reja të Kosovës. Këto njohje, vlerësoi Sejdiu, do të hapin një kaptinë të re të raporteve të Kosovës me vendet arabe dhe islamike për bashkëpunim politik dhe ekonomik.

“Mendoj se ditë – përditë do të shtohet numri i atyre që do ta njohin Republikën e Kosovës. Është bërë punë e madhe në kontaktet me përfaqësuesit e tyre në nivele të ndryshme dhe, në të njëjtën kohë, dëshiroj t’i falënderoj të gjitha vendet që kanë qenë mbështetëse të Kosovës për të nxitur vendet tjera për të njohur Republikën e Kosovës”,
thotë Sejdiu.

Nga 17 prilli, në Hagë ka filluar procesi gjyqësor para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili do të rezultojë me një mendim këshillëdhënës që kjo gjykatë do të japë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Udhëheqësit kosovarë thonë se ky proces gjyqësor, i cili mund të zgjasë edhe për më gjatë se një vit, nuk do të ndikojë në procesin e njohjeve. Andaj, duke përshëndetur vendet që po njohin Kosovën e pavarur dita - ditës, edhe kryeministri Hashim Thaçi beson se në një të ardhme të afërt, numri aktual prej 58 shteteve sa e kanë njohur Kosovën, do të shënojë rritje.

“Njohjet për Kosovën do të rriten në të ardhmen e afërt. Do të kemi njohje të reja, njohje këto që vetëm sa do të dërgojnë mesazhin se perspektiva e Kosovës është e sigurt dhe se këto njohje ndodhin edhe si rezultat i suksesit tonë, i punës së mirë që kanë bërë institucionet e Kosovës, i suksesit të Kosovës dhe perspektivës që po ndërtojmë bashkërisht me ndërkombëtarët. Pra, do të ketë njohje të reja”,
deklaroi Thaçi.

Kosova është njohur deri më tani nga 58 vende. Lidershipi i këtushëm e pranon se procesi i lobimit për njohjet e reja nuk zhvillohet vetëm nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga vendet që e kanë mbështetur pavarësimin e Kosovës. Ndërkohë që një shqetësim më vete për autoritetet e Prishtinës është edhe fakti se nga Bashkimi Evropian mbeten edhe pesë shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG