Ndërlidhjet

UNMIK-u zotohet të kryejë mandatin e vet në përputhje me linjat e caktuara nga Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, por do të mirëpriste mbështetjen e Prishtinës zyrtare në fusha të caktuara.


Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë shpreson të ketë mbështetjen e Prishtinës zyrtare për të kryer mandatin e vet në Kosovë - mandat ky i cili në fund të procesit të rikonfigurimit të misionit në fjalë, do të ketë karakter monitorues dhe raportues.

Udhëheqësit e Kosovës, ndërkohë, vazhdojnë ta quajnë të tejkaluar rolin e UNMIK-ut në Kosovë, i cili, sipas tyre, është i panevojshëm që pas shpalljes së Kosovës shtet.

Sidoqoftë, zëdhënësi i misionit të OKB-së në Kosovë, Alexander Ivanko, thotë se UNMIK-u do të vazhdojë t’i raportojë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, prej nga buron dhe mandati i këtij misioni.
Ne natyrisht që shpresojmë të kemi mbështetjen e Prishtinës, mirëpo mandati ynë është i përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari Gjeneral...

“Ne natyrisht që shpresojmë të kemi mbështetjen e Prishtinës, mirëpo mandati ynë është i përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari Gjeneral”, tha Ivanko.

UNMIK-u, i cili deri në fund të verës së këtij viti pritet të reduktohet deri në një përbërje prej 500 vetash nga gjithsejtë 5000 sa kishte në fillim të vitit, do të vazhdojë t’i raportojë Sekretarit Gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon, për zhvillimet politike në Kosovë përmes kreut të misionit, diplomatit italian, Lamberto Zannier.

Në kuadër të angazhimeve të Zannierit në lidhje me këtë, njoftohet se gjatë kësaj jave, shefi i UNMIK-ut do të zhvillojë një takim të përbashkët me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, si dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, sqaron:

“Temat e diskutimit do të kenë të bëjnë me rikonfigurimin e UNMIK-ut. PSSP-ja do t’i njoftojë ata për të arriturat e deritanishme, si dhe për gjëra të tjera. Ne nuk kemi agjendë të caktuar të temave të diskutimit, por presim që takimi të ndodhë gjatë kësaj jave”, u shpreh Ivanko.

Qeveria e Kosovës, ndërkohë, shpreh gatishmërinë për të ndihmuar UNMIK-un në çështje të caktuara, të cilat nuk bien ndesh, siç thuhet, me kompetencat e ekzekutivit kosovar.

Sipas përfaqësuesve të ekzekutivit kosovar, rikonfigurimi i UNMIK-ut duhet të shkojë në drejtim të përfundimit të plotë të këtij misioni.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se Prishtina zyrtare do të mirëpriste vendimin e Këshillit të Sigurimit për përfundimin e misionit të OKB-së në Kosovë dhe thekson se deri atëherë, politika zyrtare karshi UNMIK-ut do të shkojë në drejtim të argumentimit të pavlefshmërisë së rolit të tij në Kosovë.

“Ne shpresojmë se jo vonë një vendim do të merret për përfundimin e këtij misioni, meqë Këshilli i Sigurimit e ka themeluar dhe është Këshilli i Sigurimit ai që e përfundon këtë mision”, theksoi Krasniqi.

Kërkesa e institucioneve të Kosovës, drejtuar Këshillit të Sigurimit, për t’i dhënë fund mandatit të misionit të UNMIK-ut, ishte prezantuar nga ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, në takimin e fundit për Kosovën të këtij mekanizmi, në fillim të muajit mars.

Përfaqësues të Serbisë, ndërkaq, e kanë quajtur të papranueshëm ndërprerjen e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG