Ndërlidhjet


Funksioni i të ardhurave nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore dhe shfrytëzimi ekonomik i tyre ka mbetur një prej çështjeve më të diskutuara të procesit të privatizimit në Kosovë. Ende mbi 400 milionë euro të privatizimit mbahen jashtë Kosovës.

Anëtari i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Haxhi Arifaj, thekson se janë në pritje të ndonjë vendimi nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, ICO, për kthimin e këtyre parave në Kosovë.

“AKP-ja ka një program se ku do t’i investojë këto mjete. Ne si bord i Agjencisë Kosovare të Privatizimit kemi diskutuar për kthimin e këtyre mjeteve në Kosovë dhe jemi të vendosur që kjo të bëhet”, pohoi zoti Arifaj.

Në anën tjetër, eksperti për çështje ekonomike, Edmond Hajrizi, e sheh shumë të nevojshëm kthimin e këtyre mjeteve në Kosovë, pasi që, siç thekson ai, këto mjete do të mund të gjenerojnë zhvillim ekonomik në prodhimtarinë lokale, në turizëm, në teknologji dhe në infrastrukturë.

“Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, procesi i privatizimit duhet të bëhet në tërë Kosovën, pavarësisht pengesave që mund të ketë. Edhe në enklavat serbe duhet të ketë një model të njëjtë të privatizimit", thotë zoti Hajrizi.

Ndërkaq, një sfidë tjetër e Agjencisë Kosovare të Privatizimit është procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në enklavat serbe. Duke e konsideruar si një problem mjaft të vështirë për të gjetur zgjidhje, zoti Arifaj thekson se në bashkëpunim me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, së shpejti duhet të fillojë privatizimi edhe në këto pjesë të Kosovës.

“Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në enklavat serbe ka qenë një problem edhe gjatë funksionimit të AKM-së. Problem do të jetë edhe për ne. Ne, si trashëgimtarë të AKM-së, edhe në enklavat serbe, si në Brezovicë, do të mundohemi ta përfundojmë këtë proces të privatizimit. Komuniteti serb duhet të kuptojë se privatizimi është edhe në të mirën e tyre”, tha zoti Arifaj.

Sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në enklavat serbe, eksperti për çështje ekonomike, zoti Hajrizi, pohon:

“Ato të holla duhet të kthehen sa më parë në Kosovë. Nuk është e drejtë që dikush të shfrytëzojë pasurinë dhe të bëjë përfitime, derisa, në anën tjetër, ata që kanë bërë shitjen, mos t’i kenë paratë për të bërë gjenerim”, thotë ai.

Më kritik ndaj punës së AKP-së shprehet nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Hasan Abazi. Ai thotë se derisa nuk ndryshohen politikat ndërkombëtare dhe politikat vendore, nuk do të mund të ketë një privatizim të mirëfilltë.

“Në bazë të asaj se si është vepruar deri më tani, as Qeveria, as mekanizmat ndërkombëtarë nuk do të mund ta bëjnë privatizimin e këtyre ndërmarrjeve”, thotë zoti Abazi.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit, që nga marrja e kompetencave nga AKM-ja, ka shpallur tre raunde të privatizimit. Ndërsa, nga 314 ndërmarrje shoqërore të prekura nga privatizimi, janë krijuar 417 ndërmarrje të reja.

Shuma prej 400 milionë eurosh, që kërkohet vazhdimisht të kthehet në Kosovë, është mbledhur gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Me një të pestën e këtyre parave do të duhet të bëhet kompensimi i punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore të shitura.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG