Ndërlidhjet

“Shtetet e BE-së kundër njëra-tjetrës”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Procesi tashmë i hapur mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është në fokus të pothuaj gjitha gazetave të sotme.

E përditshmja “Koha ditore” shkruan se shtetet e BE-së janë rreshtuar kundër njëra-tjetrës për Kosovën në Hagë, për të sqaruar më tej se Spanja, Rumania, Sllovakia e Qiproja janë renditur krah Rusisë, Iranit e Libisë kundër vendeve perëndimore.

“Koha ditore” citon diplomatë të kenë thënë se kjo situatë është e pakëndshme për kredibilitetin e BE-së.

Në të njëjtën temë, e përditshmja “Express” shkruan se pas publikimit të emrave të shteteve që kanë deponuar deklarata me shkrim, shihet se në favor të Kosovës janë rreshtuar 21, ndërsa qëndrimin e Serbisë do ta përkrahin 13 shtete.

Italia, shkruan “Express”, është tërhequr nga ky proces, ndërsa, me gjithë paralajmërimet e Beogradit, Greqia nuk dorëzoi gjë në Gjykatën e Drejtësisë.

Ndërsa, e përditshmja “Zëri” shkruan se shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, ka bindur Maqedoninë, Malin e Zi, e çka është më e rëndësishmja Kroacinë, që të mbeten anash procesit të Hagës, apo që të mos deponojnë materiale relevante për trajtimin e Kosovës në GJND. Kjo gazetë shkruan se Sllovenia është i vetmi shtet i ish-Jugosllavisë, që do ta ndihmojë Kosovën në këtë rast.

Derisa EULEX-i tashmë e njeh si të arritur rifillimin e punës në gjykatat në veri, kryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, shfaq frikën se kthimi i stafit vendor dhe rifillimi i punës në gjykatat në veri nuk mund të bëhen pa një kompromis apo marrëveshje të re me Serbinë.

Ai, në një intervistë dhënë “Kohës ditore”, ka thënë se EULEX-i nuk mund të punojë në veri as me ligjet e Serbisë, e as me ato të Kosovës pa institucionet vendore.

Sipas tij, EULEX-i ka një përshkrim të punës që lidhet me bashkëpunimin e institucioneve vendore, por e gjitha ka mbetur peng, sipas tij, i marrëveshjeve të UNMIK-ut me Beogradin, që gjendja të mos lëvizë, të paktën derisa të qartësohet çështja e dy njësive komunale sipas pakos së Ahtisaarit.

“Koha Ditore” citon Barutin të ketë thënë se së fundi ka marrë një sugjerim nga EULEX-i, që të merren disa lëndë nga gjykata në veri për t’u punuar në Vushtrri dhe e njëjta të ndodhë edhe me punëtorët serbë gjykatës, duke zbehur kështu shpresat për një kthim të mundshëm në vendet e punës në veri.

Gazetat e sotme publikojnë të dhëna të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, ku thuhet se Prishtina është 18 herë më e ndotur nga ç’e lejojnë normat.

“Express”, në shkrimin me titull “Prishtina shkurton jetën”, shkruan se ndotja e ajrit ka tejkaluar të gjitha normal e lejuara. Nëse në një shtet të zhvilluar të botës, ndotja e ajrit lejohet të kalojë limitet e saj vetëm 18 herë gjatë një viti, në Kosovë kjo ka ndodhur vetëm për tre muaj.

Ndërsa, në një editorial të saj, “Kosova sot” e cilëson Prishtinën si kryeqytet të asfaltit, betonit dhe ndotjes. Kjo gazetë alarmon se drejtuesit e këtij vendit duhet të mendojnë më seriozisht për fëmijët, që, siç thuhet, po rriten në këtë ambient të sëmurë.
XS
SM
MD
LG