Ndërlidhjet

Kosova shënon Ditën e Tokës me ambient të ndotur


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe përfaqësues të Partisë Ekologjike të Kosovës apelojnë për marrjen e masave urgjente në ruajtjen e ambientit.

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, pohon se në Kosovë ende ekzistojnë mjaft probleme në mjedis.

“Besojmë që në të ardhmen do ta përmirësojmë, sepse kemi projekte dhe strategji të reja brenda në ministri, dhe me ndihmën e institucioneve tjera, do të krijojmë instrumente për përcjelljen, monitorimin dhe për përmirësimin e gjendjes së mjedisit”, deklaroi ministri Yagcilar.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ndërkaq, pohon se vlerat e larta të ndotjes së ajrit në Kosovë, paraqesin problem mjaft serioz në shëndetin e kosovarëve.

“Grimcat e suspenduara dhe pluhuri që krijohet në rrugët e kryeqytetit, kontribuojnë në rritjen e ndotjes së ajrit dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit të qytetarëve, duke shkaktuar kështu problem dhe vështirësi në frymëmarrje, probleme në sistemin kardiovaskular, dëmtim në sistemin imunitar, anemi dhe çrregullime në të shikuarit”, tha zoti Ramadani.

Instituti i Shëndetit Kombëtar të Kosovës u rekomandon institucioneve të Kosovës përpilimin e planit të aksionit për përmirësimin e cilësisë së ajrit, largimin e menjëhershëm të automjeteve të vjetra nga qarkullimi, rritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara të qytetit, si dhe përforcimin e rrjetit të trafikut urban me karburante ekologjike.

Faktorët kryesorë të ndotjes së ambientit në Kosovë, sipas nënkryetarit të Partisë Ekologjike të Kosovës, Faruk Mujka, janë fabrikat ekzistuese, siç është Fabrika e çimentos, Ferronikeli, si dhe termocentralet.

“Ndotja e mjedisit në Kosovë e ka arritur maksimumin në këto vitet e fundit, në veçanti shkatërrimi dhe erozioni i ambientit, si dhe i të gjitha vlerave që ka pasur ambienti në Kosovë, duke filluar nga ndotja e ajrit, ndotja e dheut dhe ndotja e ujit”,
thotë zoti Mujoka.

Ai kritikon institucionet e Kosovës për neglizhencën e treguar karshi ruajtjes së ambientit. Gjithashtu, zoti Mujka alarmon për përkeqësimin e shëndetit të qytetarëve.

Në anën tjetër, Rexhep Zeqiri, qytetar, thotë:

“Në përgjithësi, sa i përket pastërtisë së ambientit, ne kemi probleme të theksuara, sidomos nëpër qytete dhe pas luftës. Koha e tranzicionit në Kosovë po zgjat shumë dhe po paraqet një problem mjaft të madh. Ndoshta në të ardhmen bëhet mirë, por për momentin gjendja është e keqe”,
thotë Zeqiri.

Ndërsa, një tjetër qytetare, Safete Selmani, shprehet mjaft kritike ndaj institucioneve kompetente.

“Duhet të bëhet më shumë për mbrojtjen e ambientit. Të krijohen zona të gjelbëruara. Që nga paslufta janë bërë shumë ndërtime. Institucionet duhet të marrin hapa urgjente për përmirësimin e kësaj gjendjeje”, thotë ajo.

Ndryshe, Dita e parë e Tokës gati 40 vjet më parë kishte për qëllim të bëhej protesta e parë mbarëkombëtare kundër ndotjes së mjedisit në historinë e vendit.

Për nder të kësaj date të rëndësisë së veçantë të Planetit Tokë, si në çdo vend të botës, edhe në Republikën e Kosovës po mbahen manifestime të ndryshme, të cilat kanë për qëllim sensibilizimin e qytetarëve për ruajtjen e resurseve mjedisore.
XS
SM
MD
LG