Ndërlidhjet

logo-print

PER: Mungon besimi mes komuniteteve


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

“Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë përpjekje në drejtim të integrimit të serbëve dhe komuniteteve të tjera në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës”, u tha gjatë një tryeze diskutimi, organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike.


“Ka një mungesë të dukshme të besimit dhe të komunikimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë”. Kështu u shpreh kryetarja e Projektit për Marrëdhënie Etnike, Livia Plaks, gjatë një tryeze diskutimi, që projekti, të cilin ajo udhëheq, organizoi në Prishtinë.

Problemet, të cilat, sipas saj, janë ende ekzistuese ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Kosovë, në njërën anë, dhe institucioneve kosovare, në anën tjetër, mund të zgjidhen vetëm me një intensifikim të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy strukturave.

“Nëse ka një vullnet për të ndryshuar diçka, për të parë riintegrimin e të kthyerve dhe të përgatitet një bazë e qëndrueshme për serbët, romët dhe të tjerët, në mënyrë që ata të shohin të ardhëm e tyre në Kosovë, atëherë duhet të ketë më shumë përpjekje në terren nga ana e Qeverisë së Kosovës, si dhe e strukturave komunale”,
theksoi Plaks.

Në debatin ku, ndër të tjera, u diskutua për gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet serbëve, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, si dhe për rolin e pranisë ndërkombëtare në përmirësimin e këtyre marrëdhënieve, Qeveria e Kosovës ritheksoi se kjo çështje do të vazhdojë të mbetet në listën e prioriteteve të saj.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sqaroi pozicionin e ekzekutivit kosovar:

“Qeveria e Kosovës vazhdon të kultivojë dialogun dhe mirëkuptimin ndëretnik. Zotimi dhe përkushtimi për një shoqëri shumetnike nuk do të ndalet në Kosovë. Arsyeja është se kjo është në të mirë të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, tha kreu i ekzekutivit kosovar.

Serbët e Kosovës, ndërkohë, vazhdojnë të mos njohin dhe të kundërshtojnë pjesëmarrjen në institucionet kosovare dhe si rrjedhojë vazhdojnë të bojkotojnë institucione si policinë, gjykatat dhe të tjera.

Numri një i ekzekutivit kosovar, Thaçi, u bëri thirrje atyre dhe të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë që të marrin pjesë aktivisht në jetën shoqërore dhe institucionale të vendit. Kjo gjë, sipas tij, do të ishte në favor të demokracisë kosovare, e cila, siç u shpreh ai, mund të dëshmohet vetëm me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme lokale të vendit.

“Demokracia nënkupton pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në zgjedhje, pjesëmarrje aktive në marrjen e përgjegjësive edhe në nivel qendror, edhe në nivel lokal”,
konsideroi ai.

Problemet, siç janë ato në sektorin e energjisë elektrike, ku, ditë më parë, ishin ngritur disa shqetësime nga përfaqësues të serbëve në Kosovë, si dhe tema të tjera ekonomike e politike, ishin po ashtu pjesë e debatit.

Kryetarja e Projektit për Marrëdhënie Etnike, Livia Plaks, tha se eliminimi i problemeve të tilla do t’i kontribuonte në të mirë rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në institucionet e Bashkimit Evropian.

“Realiteti është se nëse njerëzit e Kosovës - shqiptarët, serbët dhe komunitetet tjera do të arrinin në një lloj ‘modus vivendi’, atëherë do të largoheshin disa pengesa, qofshin ato ekonomike, apo politike. Kjo do ta përshpejtonte rrugën drejt ditës kur njerëzit e Kosovës do të bëheshin anëtarë të familjes evropiane”, u shpreh Plaks.

Integrimi i komuniteteve, sidomos i komunitetit serb, vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore, me të cilat përballen institucionet e shtetit të Kosovës. Ndikimi i politikës së Beogradit zyrtar mi serbët lokalë, sipas udhëheqësve të Kosovës, është pengesa kryesore në këtë drejtim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG