Ndërlidhjet

Kosova (s') po zbaton pjesë të 6-pikëshit


Lamberto Zannier

Lamberto Zannier

“I ashtuquajturi plan 6-pikësh ka ekzistuar deri në nëntor”, thotë shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier. Megjithatë, ai thotë se edhe pse është refuzuar ky plan, duket se disa pika të tij po zbatohen.



Ekziston apo nuk ekziston plani gjashtëpikësh i Ban Ki Moonit?

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka thënë në një takim me gazetarë se ky plan në fakt ka ekzistuar vetëm deri në muajin nëntor të vitit të kaluar.

“I ashtuquajturi plani gjashtëpikësh është diçka që ka ekzistuar deri në nëntor dhe kishte për bazë letrën e qershorit të Sekretarit të Përgjithshëm. Pas nëntorit, kemi një agjendë të zgjeruar. Dhe, këtë agjendë e ka rritur raporti që Këshilli i Sigurimit ka miratuar dhe përmban shumë elemente tjera - rikonfigurimi, ardhja e EULEX-it, 6-pikëshi, por edhe 4-pikëshi që iu bashkua më pas”, thotë Zannier.

Por, vetë Zannier ka ngjallur dilema nëse plani është inekzistent...

“Shoh zhvillime në fushat që janë mbuluar nga i ashtuquajturi plan gjashtëpikësh. T’ju jap një shembull - kam parë që autoritetet e Kosovës u japin rol më të madh përfaqësuesve të pakicave në polici. Mendoj se kjo është gjë e mirë. Edhe pse kjo nuk ndodh për shkak se po zbatojnë një pikë të planit gjashtëpiëksh, por po shkohet në drejtim të duhur. Pra, e gjithë pamja është më e gjerë dhe puna në disa fusha koincidojnë me planin dhe disa jo”, tha Zannier.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, sërish ia ka bërë me dije Lamberto Zannierit që UNMIK-u duhet ta përmbyllë misionin në Kosovë. Por, Zannier thotë se nga ky mision, që në muajin qershor do të shkurtohet në një staf prej 500 vetash, ende mund të përfitojë Kosova, si në raportet mes saj dhe atyre organizatave apo shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë.

Sidoqoftë, Zannier pranon se çdo ditë ka elemente të reja që po ndikojnë në misionin tashmë të rikonfiguruar të UNMIK-ut.

“Procesi i njohjes po vazhdon. Këshilli i Sigurimit, edhe pse i ndarë, nuk po rezulton me kundërthënie të mëdha për Kosovën. Në anën tjetër, është procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mendoj se ia kemi dalë të përcjellim zhvillimet në një formë që politikisht nuk rezulton me kundërthënie ekstreme, edhe pse dallimet mbesin”.

“Ky tranzicion është dinamik. Ka njohje të reja, ka hapa të rinj në GJND, pra ka elemente të reja që po vijnë dhe të cilat ndikojnë në rolin e OKB-së”, thekson Zannier, i cili e sheh si element të ri edhe faktin se Beogradi po njeh mekanizmat e BE-së në Kosovë.

Vizita e Boris Tadiqit në Kosovë dëshmoi se edhe Beogradi “injoroi” praninë e UNMIK-ut, duke njoftuar për vizitën përfaqësuesin e BE-së në Beograd dhe jo atë të OKB-së.

“Jam shumë i kënaqur me këtë, sepse me këtë veprim Beogradi pranoi se EULEX-i është duke vepruar nën 1244-shin. Mendoj se është gjë e mirë që zyrtarët e Beogradit bashkëpunojnë direkt me BE-në dhe nuk shoh nevojën që unë të transferoj letra nga njëri te tjetri, që në rrethana tjera do të duhej ta bëja”, tha Zannier.

Ai shpjegon se tashmë të gjitha kompetencat në fushën e sundimit të ligjit, UNMIK-u ia ka bartur EULEX-it, përderisa mbesin disa çështje në fushën e raporteve ndërkombëtare, me të cilat ende merret UNMIK-u.

“Për shembull, Tribunali i Hagës. Kam qenë në Hagë për të shpjeguar rolin e EULEX-it nën 1244-shin, për t’i inkurajuar për të bashkëpunuar direkt me EULEX-in. Ne kemi transferuar tashmë dosjet për krime lufte, por disa nga prokurorët ende kërkojnë që të punojnë me UNMIK-un”.

“Mendoj se është çështje kohe. Interpoli vazhdon të komunikojë me ne. Mendoj se me kohë, sikur vetë pala serbe, këto organizata do të bashkëpunojnë direkt me EULEX-in”,
thotë Zannier, i cili qartëson se në secilin takim ku ftohet të marrë pjesë, si p.sh. në CEFTA, ka bërë të ditur se më nuk mund të flasë në emër të Kosovës, por mund të jetë një mekanizëm që lehtëson bashkëpunimin mes Kosovës dhe atyre që nuk njohin ende pavarësinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG