Ndërlidhjet

Rufi Osmani: Maqedonia të ridefinohet


Rufi Osmani
Rufi Osmani

Shqiptarët dhe maqedonasit duhet të arrijnë një marrëveshje të re, me të cilën, përfundimisht, Maqedonia do të definohej si shtet i barabartë i këtyre dy popujve.

Deklarata është bërë për Radion Evropa e Lirë nga kryetari i ri i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, i cili njëherësh është publicist dhe profesor universitar.

Zoti Osmani thotë se marrëveshja e re do të ishte afatgjate, pasi përfundimisht do t’i zgjidhte problemet e brendshme etnike. Sipas tij, marrëveshja shqiptaro-maqedonase do të arrihej përmes ndryshimit të Kushtetutës aktuale.

“Mendoj se vetëm konstituimi i ri i Maqedonisë si shtet binacional me të drejtë shtet-formësie edhe të kombit shqiptar krahas atij maqedonas dhe me të gjitha të drejtat dhe obligimet në të gjitha drejtimet, si në planin nacional, ekonomik, social e diplomatik, faktikisht do të mund të bënte Maqedoninë të pretendojë që të bëhet shtet me perspektivë dhe të ishte shembull edhe për shtetet në Ballkan”.

“Thjesht, rregullimi i deritanishëm kushtetues, përfshirë edhe Marrëveshjen e Ohrit, u tregua i pamjaftueshëm për kapërcimin përmbajtjesor të raporteve shqiptaro-maqedonase dhe për stabilizimin afatgjatë të vendit”, deklaroi Rufi Osmani.

Ai thotë se është i vetëdijshëm se idenë e këtillë nuk do të mund ta realizojë nga pozicioni i kryetarit të komunës, andaj edhe në prononcimin e tij konfirmon zërat e ditëve të fundit për krijimin nga ana e tij të një subjekti të ri politik shqiptar, i cili, sipas tij, prioritet do të kishte ndryshimin e Kushtetutës dhe ridefinimin e raporteve ndërmjet dy popujve shumicë, shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Kjo është një ide, e cila do të jetë pjesë e programit tonë politik në një të ardhme të afërt, kur ne mendojmë të transformojmë këtë lëvizje të qytetarëve të Gostivarit në një subjekt politik, i cili do të konkurrojë që të marrë mandatin politik të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të Maqedonisë, dhe më pas do të luftojmë për këtë ide në mënyrë demokratike dhe paqësore”, u shpreh Osmani.

Deklarata e kryetarit të Komunës së Gostivarit për marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve ka shkaktuar reagime të ndryshme, duke ndarë në qëndrime edhe analistët politikë në vend.

Dimitar Mirçev, profesor universitar dhe kryetar i Lëvizjes Evropiane, thotë se kërkesa e Rufi Osmanit nuk ka bazë, pasi Maqedonia, sipas tij, ka zgjidhur çështjet ndëretnike përmes Marrëveshjes së Ohrit, e cila është implementuar në Kushtetutën aktuale.

“Për mua kjo punë është e kryer; një punë afatgjate, me të cilën janë pajtuar të gjitha partitë politike, përfshirë edhe ato shqiptare. Andaj, mendoj se inicimi i ndonjë marrëveshjeje të re, është jorelevante dhe joaktuale”, deklaroi Mirçev.

Ai nuk beson se ideja e Rufi Osmanit nuk do të gjente mbështetje nga popullata shqiptare apo edhe nga ndonjë subjekt politik, duke thënë se kërkesa të këtilla ka pasur në vazhdimësi nga qarqe të caktuara shqiptare.

Por, i këtij mendimi nuk është Jeton Shasivari, profesor universitar dhe njohës i zhvillimeve politike. Zoti Shasivari thotë se të drejtat fundamentale të shqiptarëve nuk janë definuar qartë me Marrëveshjen kornizë të Ohrit.

“E kam fjalën për gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në nivel shtetëror dhe në nivel lokal në Maqedoni; përdorimi i lirë i simbolit kombëtar shqiptar edhe në rrafshin qendror, edhe në atë lokal nuk është definuar; përfaqësimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e pushtetit, si dhe shumë të drejta të tjera që lidhen me statusin juridik dhe politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, mendoj se si ide është e qëlluar edhe për nga aspekti i zhvillimit aktual demokratik, ashtu edhe për nga e ardhmja euroatlantike e vendit”, tha Jeton Shasivari.

Rufi Osmani është rikthyer në skenën politike pas 12 vjetësh, me kandidimin e tij për kryetar të Komunës së Gostivarit dhe si kandidat i pavarur fitoi bindshëm ndaj kundër-kandidatit të tij, Nevzat Bejta, nga Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet.
XS
SM
MD
LG