Ndërlidhjet

Tridhjetepesë shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara tashmë kanë dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë argumentet ligjore në lidhje me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përderisa thuhet se në favor të Kosovës janë renditur 21 shtete, 13 të tjera janë në anën e Serbisë.

Eksperti për çështje ligjore, Kujtim Kërveshi, thotë se tani në këtë proces do të pasojë dëgjimi i argumenteve të të dyja palëve.

“Gjykata do t’i shpërndajë argumentet e secilës palë. Zakonisht, njëra palë që është në favor të çështjes së pavarësisë së Kosovës, sigurisht se do të argumentojë kundër anës tjetër të shteteve që kanë deponuar mendime kundër mënyrës se si është shpallur pavarësia e Kosovës”, tha Kërveshi.

Nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është bërë e ditur se në fazën e ardhshme, e cila do të zgjasë deri më 17 korrik të këtij vitit, të gjitha palët kanë të drejtë t'i paraqesin në gjykatë argumentet dhe komentet e tyre shtesë, në formë të shkruar, lidhur me pjesëmarrjen e shteteve tjera në këtë proces.

Por, eksperti Kërveshi thotë se është e mundur që në ketë proces, përveç deklaratave të deponuara me shkrim, të ketë edhe deklarata verbale.

“Gjykata do të mund të vlerësojë nëse ka nevojë që t’i ftojë të gjitha palët e interesuara në procedurë gojore, në mënyrë që provat të shtrohen edhe në formë orale të dorëzimit të mendimit. Kjo do të mbetet në diskrecionin e gjykatës, se a ka nevojë të futet në ekzaminimin e këtyre kërkesave dhe në formë gojore”,
tha Kërveshi.

Nga ana tjetër, analisti politik, Lulzim Peci, duke shpjeguar procedurat e mëtejme të procesit në GJND, thotë se Gjykata fillimisht do t’i shqyrtojë komentet e shteteve veç e veç, për të parë, siç thotë ai, nëse rasti i Kosovës është politik apo juridik.

“Meqenëse tash janë dorëzuar prezantimet nga shtetet pro dhe kundër Kosovës, domethënë shpalljes së pavarësisë nga institucionet e Kosovës, faza e ardhshme do të jetë që deri më 17 korrik të dorëzohen komentet nga shtetet në lidhje me këtë rast, dhe pastaj gjykatës i mbetet të deklarohet nëse është rast politik”.

“Nëse është ashtu, atëherë gjykata nuk do ta konsiderojë veten si institucion, i cili duhet të merret me ketë rast. Nëse vendos që kjo do të jetë çështje juridike, atëherë procedura do të ecë më tutje dhe do të varet prej punës së gjyqit se kur do të fillojnë seancat dëgjimore dhe kur do të jepet vendimi përfundimtar”,
tha Lulzim Peci.

Deri më tash, në favor të Kosovës janë deklaruar: SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Japonia, Çekia, Zvicra, Shqipëria, Austria, Finlanda, Polonia, Luksemburgu, Estonia, Norvegjia, Holanda, Sllovenia, Letonia, Irlanda, Danimarka, Maldivet dhe Sierra Leone.

Sido që të jetë, mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, qoftë pozitiv apo negativ, në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk mund ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës, kanë thënë përfaqësuesit e institucioneve kosovare, duke shtuar se besojnë në drejtësinë GJND-së.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG