Ndërlidhjet

Clinton: Pakistani nuk i ka penguar talibanët


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka deklaruar se Qeveria pakistaneze "i ka lejuar talibanët të bëjnë çfarë të duan", duke i lënë që në disa pjesë të vendit të aplikojnë edhe ligjet islamike.

Clinton i tha Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme se Qeveria ka vepruar kështu, pasi ka humbur kredibilitetin tek një pjesë e qytetarëve të saj.

Pakistani tash "paraqet kërcënim vdekjeprurës për sigurinë tonë dhe të botës", tha Clinton.

"Nuk mund të mos e nënvizojmë seriozitetin e kërcënimit ekzistencial që i kanoset Pakistanit nga avansimi i disa grupeve terroriste, të cilët tash janë disa orë larg Islamabadit, dhe përpiqen ta përmbysin shtetin, i cili siç e dini, është një shtet që ka armë bërthamore", tha Clinton.

Ajo tha se shumë pakistanezë, veçmas në rajonet rurale, "nuk besojnë se vendi ka sistem juridik funksional".

Mirëpo, Sekretarja e Shtetit, ka theksuar se "Qeveria pakistaneze ka të njëjtin qëllim sikurse SHBA-të kur bëhet fjalë për luftimin e kërcënimeve terroriste".
XS
SM
MD
LG