Ndërlidhjet

“FMN: Urgjentisht të rregullohet energjetika”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Në lidhje me diskutimet se cilat shtete do të mbështesin Prishtinën zyrtare e cilat Beogradin në GJND, e përditshmja “Koha Ditore” në ballinë të saj ka artikullin me titull “Kundërshtarët e pavarësisë bazohen kryesisht në teori”, duke cituar ekspertë të vendeve perëndimore të kenë pohuar se do të ishte një ndihmë e madhe për Kosovën nëse organet shtetërore dëshmojnë kapacitete të funksionimit të shtetit.

Sipas tyre, në rastin më të keq për Kosovën mund të ndodhë që mendimi të jetë “inkonkluziv”- mendim eventual ky i Gjykatës Ndërkombëtare, i cili, megjithatë, sipas diplomatëve perëndimorë, nuk do të mund të ndryshojë faktin që Kosova është shtet.

Ndërkohë, në një koment në lidhje me po të njëjtën temë në gazetën “Koha Ditore” thuhet se rasti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do ta luftojnë, siç thuhet, njëra-tjetrën, nuk shënon fundin e as fillimin e problemit që quhet Republika e Kosovës.

Sipas këtij komenti, ajo që brengos më së shumti Bashkimin Evropian nuk është fakti që brenda këtij mekanizmi vazhdon të ketë qëndrime të ndryshme rreth Kosovës, por vetë fakti që, siç thuhet, BE-ja nuk ka një vizion rreth së ardhmes së Kosovës.

Çështja, e cila ka të bëjë me administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, përkatësisht me një takim që u zhvillua ditë më parë në mes të shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, dhe presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, është trajtuar në pothuaj të gjitha gazetat e shtypit të sotëm ditor në Kosovë

Mirëpo, nga përmbajtja e shkrimeve të gazetave në lidhje me këtë temë, duket se ka disa dallime. Përderisa sipas të përditshmes “Zëri”, diplomati italian Zannier ka pranuar se në Kosovë është duke u zbatuar plani 6-pikësh i Kombeve të Bashkuara, gazeta “Kosova Sot” ka një shkrim me titull “6-pikëshi e pati”, duke e quajtur inekzistent këtë plan në Kosovë.

Ndërkohë, gazeta “Express” shkruan se në takimin e djeshëm Sejdiu-Zannier janë ripërsëritur kërkesat e palëve përkatëse në lidhje me rolin e ardhshëm të UNMIK-ut në Kosovë.

Kërkesa kryesore e Prishtinës zyrtare është përfundimi sa më parë i misionit të OKB-së në vend, e cila, marrë parasysh qëndrimin e UNMIK-ut dhe të Këshillit të Sigurimit, nuk duket se do të realizohet së shpejti.

Sidoqoftë, siç shkruan “Express”, Lamberto Zannier ka mohuar të flasë në emër të Kosovës në ndonjë forum ndërkombëtar ngase, siç ka theksuar ai, nuk është më përfaqësues i Kosovës.

Një artikull i gazetës “Lajm” flet për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sipas një dokumenti të FMN-së, në të cilin bazohet ky shkrim, thuhet se reformimi urgjent i sektorit të energjisë elektrike është vënë si detyrë kryesore për Qeverinë e Kosovës nga Ekipi i FMN-së.

Sipas “Lajm”, ekipi i FMN-së ka identifikuar tri shtylla brenda sektorit të energjetikës në Kosovë, për të cilat, siç thuhet, Kosova duhet të bëjë përmirësime të dukshme.

Kështu, përpjekjet e KEK-ut rreth faturimit dhe arkëtimit duhet të forcohen, privatizimi i furnizimit dhe distribuimit të bëhet sa më parë, si dhe duhet të qartësohet e ardhmja e projektit “Kosova e Re”, shkruan kjo e përditshme.
XS
SM
MD
LG