Ndërlidhjet

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kundërshtuar njoftimet se Prishtina mund të jetë duke zbatuar pjesë të planit gjashtëpikësh. Opozita, në anën tjetër, mendon se plani gjashtëpikësh i OKB-së po zbatohet në fushat e policisë, gjykatave dhe doganave.


Qeveria e Kosovës e kundërshton kategorikisht mundësinë e zbatimit të planit gjashtëpikësh. UNMIK-u ka bërë të ditur se disa pjesë të këtij plani po zbatohen në praktikë në Kosovë. Opozita thotë se plani i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, po implementohet nga misionet ndërkombëtare civile dhe Qeveria e Kosovës.

Por, një mundësi të tillë e hedh poshtë kryeministri Hashim Thaçi. Ai thotë se gjashtë pikat e OKB-së nuk ndodhen as në agjendën e institucioneve vendore dhe as në agjendat e politikës ndërkombëtare për Kosovën.

“Plani gjashtëpikësh në Kosovë nuk ekziston dhe as që do të ekzistojë ndonjëherë. Në tavolinën apo në prioritetet e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk është përmendur nga askush; përkundrazi, është konkludim edhe i vetë autoriteteve të UNMIK-ut që nuk ekziston në angazhimet tona. Prandaj, ju kisha ftuar edhe një herë, siç ju pata ftuar më parë, që mos u merrni me gjëra të kota”,
tha Thaçi.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka deklaruar se “i ashtuquajturi plan 6-pikësh ka ekzistuar deri në nëntor të vitit 2008”. Por, megjithëse ishte refuzuar, ky plan, sipas tij, në pika të caktuara po zbatohet nga autoritetet e Kosovës.

I këtij mendimi është edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Adem Salihaj. Deputeti opozitar, Salihaj, thotë se sheh elemente që po zbatohen nga ky plan, pavarësisht se ai ishte refuzuar nga të gjitha institucionet dhe partitë politike të Kosovës.

“Plani gjashtëpikësh ka filluar të zbatohet në disa aspekte, në çështje të policisë, kufirit, doganave, disa aspekte tjera dhe kjo ka qenë një informatë publike që e kanë ditur të gjithë. E vetmja ka qenë Qeveria e Kosovës, e cila që nga fillimi është munduar të mohojë se po zbatohet në praktikë, duke thënë vazhdimisht se ky është një plan i vdekur”, deklaroi Salihaj.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi thotë se Kosova ka më shumë probleme që kërkojnë zgjidhje dhe nuk bëhet fjalë vetëm për gjashtë pika. Por, këto probleme, nënvizon Thaçi, nuk shtrohen për zgjidhje përmes planit gjashtëpikësh, të cilin ai e quan inekzistent.

“Nuk është puna vetëm e gjashtë çështjeve që duhet të zgjidhen. Ka edhe shumë çështje tjera që kërkojnë zgjidhje, por ato nuk ndërlidhen me atë projekt të refuzuar në mënyrë shtetërore dhe gjithëpopullore nga Kosova. Prandaj, ne vazhdojmë me prioritetet tona për të punuar. Ne e çmojmë rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa gjithçka që ndërlidhet me ato çështje, ka qenë qysh vitin e kaluar e refuzuar dhe nuk janë në kokën, mendjen e angazhimet tona askund”,
theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, deputeti Adem Salihaj thotë se zbatues i planit gjashtëpikësh në njëfarë forme është edhe Qeveria e Kosovës.
Segmentet e Qeverisë nuk janë të përjashtuara nga zbatimi i këtij plani.

“Kryesisht zbatohet nga strukturat e EULEX-it, por që janë të kyçura edhe strukturat e Qeverisë së Kosovës, policia, aspekte të doganave, e tjera. Segmentet e Qeverisë nuk janë të përjashtuara nga zbatimi i këtij plani”, thekson Adem Salihaj.

Plani gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, ishte refuzuar nga institucionet e Kosovës qysh në kohën e propozimit të tij. Por, ai ishte përkrahur nga Beogradi. Që atëherë, institucionet e Kosovës e kundërshtojnë kategorikisht se po zbatojnë këtë plan, përderisa opozita dhe, së fundit, edhe UNMIK-u, konsiderojnë se elemente të këtij plani po gjejnë zbatim në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG